Pacolli thotë se tri shtete kanë dhënë garanci për ish-drejtuesit e UÇK-së
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka bërë me dije për “Euronews Albania” se tri shtete kanë dhënë garanci për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Unë e di se tri shtete kanë dhënë miratimin për pranimin e të paraburgosurve, nëse gjykata ose gjyqtari vendos që ata të lirohen në liri. Nëse ka nevojë të paguhet ndonjë shumë financiare, unë nuk mund të them dot asgjë”, është shprehur Pacolli, teksa ka shtuar se pret që ata të lirohen.
Ish-presidenti i Kosovës ka rrëfyer edhe për takimin me ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ata ishin mirë dhe se të gjitha akuzat ndaj tyre janë të pavërteta.
“I pashë të tre, Veselin, Thaçin dhe Selimin, të gjithë ishin mirë. Kalova 4 orë më ta dhe u ktheva. Ishte një ndjenjë e bukur të qëndroje me ta, por u mërzita kur i lashë në fund”.
“I demoralizoi fakti që procesi gjyqësor fillon diku në prill në maj, gabim i presidentit dhe institucioneve ne përgjithësi. Ne nuk kemi reaguar”, ka thënë Pacolli.