Pacolli u replikon komentuesve për shpenzimet
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar sërish për shpenzimet që po shkruajnë mediat që ai ka bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014).
“Po lexoj prap për disa “shpënzime” që gjoja unë paskam bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014). E vërteta është se unë gjatë asaj periudhë nuk i kam kushtuar asnjë cent shtetit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.
Ai pranon se ka fjetur në hotele të shtrenjëta.
“Është e vërtetë që unë kam fjetur në hotele të shtrenjëta por ato i kam paguar me paratë e mia. Janë shumë qindra mijëra euro faktuara që janë paguar nga llogaritë e mia private në funksion të angazhimit tim për Republikën e Kosovës në cilësinë e zëvendëskryeministrit, në atë periudhë, duke mos kalkuluar shpënzimet e larta të mjetit tim të transportit.
Madje, nga llogaritë e mia kam paguar edhe për delegacionin përcjellës dhe për njerëzit që kanë lobuar për interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli pas këtij reagimi po merr edhe komente nga qytetarët, dhe ai po u kthen përgjigje.
“O dost unë kam paguar hotele edhe më shtrenjtë por me paratë e mia”, ka qenë përgjigja e Pacollit për një komentues.