Pacolli uron Izraelin për 70-vjetorin e pavarësisë, e thërret që ta njohë Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka uruar popullin dhe përfaqësuesit të shtetit të Izraelit me rastin e shënimit të vitit jubilar të 70-vjetorit të Pavarësisë.
Më këtë rast i ka bërë thirrje edhe njëherë për rishqyrtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në vitin e dhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur dhe sovran, njofton MPJ.
“Në këtë vit të veçantë të shënimit të 70 vjetorit të Pavarësisë, dëshiroj që t’i dërgoj urimet më të sinqerta popullit dhe lidershipit të shtetit të Izraelit. Bashkëjetesa dhe harmonia në mes shqiptarëve të Kosovës dhe hebrenjve ka gjurmë historike shekullore në vendin tonë, duke përfshirë edhe periudhën e lavdishme të ndihmës në shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
“Marrëdhëniet në mes dy vendeve tona kanë shënuar ngritje të vazhdueshme edhe në nivelin Institucional që nga shpallja e Pavarësisë sonë dhjetë vjet më parë, por ky mund të jetë një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi shqyrtimin e njohjes edhe de jure të Kosovës. Presim që në të ardhmen e afërt të kemi përfaqësim të Kosovës në Izrael”, ka thënë Pacolli në letrën e tij.