Pacolli uron Kurtin për fitore

07 tetor 2019 | 11:53

Presidenti i Aleancës Kosova e Re(AKR), ka uruar qytetarët e Kosovës për procesin zgjedhor të 6 tetorit.

Ai ka uruar  edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në këto zgjedhje.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këto zgjedhje fitoi vullneti për ndryshim.

 

Postimi i plotë i Pacollit:

 Bashkudhëtarët e mi dhe unë e ndoqëm me interes numërimin e votave.

Sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë.

Është për tu përgëzuar populli i Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi.

Urime për udhëheqësit e Opozitës që me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë.

Përgëzoj zotni Albin Kurti për integritetin e tij politik dhe zonjën Osmani që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste.

Procesi është në përmbyllje e sipër dhe duhet po ashtu të kemi durim që institucionet e numërimit dhe legjitimimit të votave të japin verdiktin përfundimtar, pa presione triumfaliste apo të dëshpërimit.

Është krejt e qartë, se pakënaqësia popullore e krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar favorizoi ardhjen në pushtet të forcave të opozitës.

Më gëzon fakti për ardhjen e rinisë në krye të institucioneve, atë që e kam dashur më së shumti.

Vullneti për ndryshim fitoi.

Ne duhet të mbajmë shënim këtë vullnet popullor.

Tani duhet mbi të gjitha t’i tregohet miqve tanë perëndimorë se orientimi proatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe ai vetëm do të forcohet.

Miqtë perëndimorë, po ashtu, tani të mbajnë shënim rezultatin dhe të hedhin hapin e parë të shumëpritur për popullin e Kosovës.

Punë të mbarë qeverisë së re!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesi i ‘Topit të Artë’, Luka Modriq, mund të mos…