Pacolli uron Uruguain për ditën e pavarësisë
Me rastin e shënimit të 193-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së shtetit të Uruguait, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka uruar udhëheqësit e institucioneve të këtij shteti dhe popullin e Uruguait.
Pacolli u ka bërë thirrje institucioneve të këtij shteti që të rishqyrtojnë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, pasi që shteti i ri tashmë plotëson kriteret e shtet-formimit të vendosura dhe të nënshkruara pikërisht në kryeqytetin e këtij shteti – Montevideo.
“Në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës dëshiroj t’i përcjellë urimet më të mira përfaqësuesve të shtetit dhe popullit të Uruguait, duke i dëshiruar stabilitet afatgjatë, paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie të vazhdueshme. Përderisa Kosova mbushi dhjetë vite si shtet i pavarur dhe sovran dhe i përmbushi plotësisht kriteret e shtet-formimit të vendosura dhe të nënshkruara pikërisht në kryeqytetin e këtij shteti – Montevideo nëpërmjet Konventës së Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrat e shteteve (1933) është e drejtë e jona legjitime, që t’i bëjmë thirrje edhe njëherë Uruguait dhe të gjitha shteteve tjera nënshkruese të kësaj Konvente, që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Duke ndërmarrë këtë veprim ato do t’i kontribuonin paqes dhe stabilitetit rajonal e evropian në veçanti dhe së Drejtës Ndërkombëtare në përgjithësi”, ka thënë Pacolli.