Pacolli: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Bangladeshin, lajm i mirë 

27 shkurt 2018 | 12:39

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Popullore të Bangladeshit është lajm i mirë dhe një hap tjetër në drejtim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.

Pacolli ka thënë se Kosova do të vazhdojë praktikën e tillë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të shtrijë prezencën dhe përfaqësimin diplomatik gjithandej nëpër botë.

Marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësuesi i përhershëm i Bangladeshit në Kombet e Bashkuara, ambasadori, Masud Bin Momen, dhe nga konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje, dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dy palësh, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.

Të frymëzuar nga parimet e Kartës së OKB-së, të dy shtetet janë zotuar se do të angazhohen në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndihmës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Për qëllime dokumentimi dhe praktike, marrëveshja është deponuar edhe në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Bangladeshi ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në muajin shkurt të vitit të kaluar. ​

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Humbja nga Prishtina (2-0) dhe nga Drita (0-1) nuk e…