Pacolli – Vuçiqit: E keni vetëm një shans, ta njihni Kosovën dhe ta pranoni realitetin
Shefi i diplomacisë së Kosovës në detyrë, Behgjet Pacolli, ka thënë se me Serbinë mund të bisedohet për gjithçka, por jo edhe për tri gjëra, pavarësinë e Kosovës, Kushtetutën e Kosovës dhe kufijtë.
Duke folur rreth një takimi të mundshëm me Vuçiq, Pacolli tha në një intervistë për “TV Face” të Bosnjës se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Vuçiq, ju keni vetëm një shans – ta njihni Kosovën, ta pranoni realitetin. Kosova ka lindur dhe nuk ka kthim prapa. Nëse ai do ta kuptoj këtë duhet ta pranojë realitetin në Kosovë dhe gjithçka tjetër do të ishte e lehtë. Kosova është shtet, ka institucionet e saja. Kjo është zgjidhja e vetme dhe dalja e vetme nga kriza”, u shpreh Pacolli.
Sipas tij, demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është i pamundur, pasi që është i rrezikshëm. “Mendoj se të gjitha opsionet që mund të jenë në tavolinë, do të ndaja vetëm një dhe mund të jetë edhe opsioni i vetëm – bashkëpunimi ekonomik”, ka deklaruar ai, shkruan “Telegrafi”.
Pacolli ka dhënë një ide interesante për krijimin e një zone të lirë ekonomike që do të përfshinte një pjesë të jugut të Serbisë, veriun e Kosovës dhe Sanxhakun, të cilën BE-ja do ta ndihmonte nga ana financiare. “Do të vinin ndërmarrje globale për shkak të taksës simbolike dhe parashikoj që një gjë të tillë për 10 vjet do të mund të punësonte 300.000 njerëz”, u shpreh Pacolli.