Pacolli, Vuçiqit: Mos e luaj rolin e molerit, kthehu në tavolinën e dialogut
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që mos të luajë rolin e molerit në lojën Lindje – Perëndim por të kthehet në tavolinë të dialogut.
Pacolli përmes një postimi në llogarinë e vet në e vet në “Facebook”, ka shkruar se Serbia nuk duhet të luhatet në lojën e saj mes Lindjes dhe Perëndimit por duhet të ketë një platformë për bisedimet e ardhshme.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiqi duhet ta kuptojë se Serbia nuk mund të bëhet pykë në marrëdhëniet strategjike dhe të përhershme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe duhet të ndalët me retorika agresive ndaj Kosovës. Zotëri Vuçiqi e di fare mirë se në bisedime shkohet me platformë të qartë. Serbia nuk duhet të luhatet e kurthuruar në lojën e saj mes Lindjes dhe Perëndimit por duhet të ketë një platformë për bisedimet e ardhshme. E siguroj Vuçiqin që asnjë paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë nuk mund të ndërtohet pa gjykimin e krimeve, prandaj në funksion të kësaj duhet të ketë një gjykatë e cila do të merrej me përgjegjësinë kriminale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se rajoni duhet të pastrohet nga krimi dhe kriminelët që shëtisin të lirë gjithandej në Serbi e rajon.
“Në anën tjetër presidenti Vuciq nuk ka pse të brengosët për komunitetin serb që jeton në Kosovë, sepse nuk ka komunitet në botë që gëzon të drejta dhe siguri në nivelin që kanë qytetarët serb në Republikën e Kosovës. E për ‘gëlqerosje’… si theksoi ai, e ftoj që mos të luaj rolin e molerit në lojën Lindje – Perëndim por të kthehet në tavolinë të dialogut ku po ju presim platformë”, ka thënë Pacolli.
/Epoka e re/