Pacolli: William Walker, një hero i gjallë i Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ambasadorin William Walker.
“Më shumë kënaqësi mirëpres përsëri në Kosovë mikun e madh të Kosovës dhe mikun tim personal ambasadorin William Walker. Ai mbetet një hero i gjallë i Kosovës i cili tregoi para botës mizoritë e tmerrshme të regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Pacolli ka thënë se puna parimore dhe e drejtë e tij është shqëtsim për Serbinë edhe sot.
“Ai e ka ndihmuar Kosovën pas vitit 1999 shumë. Unë kam qenë i nderuar që punova me të për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës ndërkombëtarisht para shpalljes së pavarësisë dhe më pas. Miqtë si ai Kosova duhet gjithmonë t’i respektojë dhe t’i dëgjojë ata. Ambasadori William Walker e do më të mirën për ne. Në Kosovë ju jeni gjithëmonë në shtëpinë e juaj ambasador Walker!”, ka shkruar Pacolli.