Pacquiao: Kjo mund të jetë sfida ime e fundit në ring
Sfida e 21 gushtit ndaj kubanezit Yordenis Ugas mund të jetë e fundit në karrierën legjendare të boksierit filipinas Manny Pacquiao. Lajmin e konfirmoi vetë boksieri 42-vjeçar i cili ka thënë se kjo mund të jetë hera e fundit që ai ngjitet në ring.
Pacquiao ka një rekord prej 62 fitoresh, 7 humbjesh e 2 barazimesh në karrierën e tij 25-vjeçare, duke qenë një nga legjendat e këtij sporti, kampion i shumëfishtë i botës. Filipinasi nuk duelon që prej korrikut 2019, mungesë kjo e kushtëzuar edhe nga pandemia.
“Jam duke bërë më të mirën në stërvitje, duke shkuar përtej limiteve, ndaj jam gati për sfidën e radhës. Asnjëherë nuk e kam nënvlerësuar kundërshtarin, pasi edhe ai grushton ashtu si unë. Shpresoj që këtë sfidë ta ndjekin sa më shumë, pasi mund të jetë e fundit për mua. Nuk e kam vendosur ende, këtë gjë e di vetëm Zoti, ndaj ju falënderoj për mbështetjen”, ka thënë Pacquiao.