Padi ndaj përgjegjësve për dëbimin e shtetasve turq
Familjet e gjashtë shtetasve turq, të cilët më 29 mars të këtij viti janë deportuar nga autoritetet e Kosovës për në Turqi, kanë ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe janë duke përgatitur dosjet për ngritjen edhe të padive të tjera penale.
Lajmin e ka konfirmuar Urim Vokshi, avokati i njërës prej gjashtë familjeve të shtetasve turq të dëbuar nga Kosova. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se ndërkohë që këta familjarë tashmë kanë ngritur padi dhe ankesë, për siç thotë ai, largimin e jashtëligjshëm të familjarëve të tyre, rastin do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Padi ndaj vendimit për revokimin e leje-qëndrimit të shtetasve turq dhe po ashtu, kemi ushtruar edhe ankesë ndaj vendimit për urdhër-largimin e tyre. Jemi në pritje të zhvillimit të këtyre procedurave, për të parë dhe për të vazhduar më tutje me procedurat e nevojshme. Familjarët, aktualisht, janë duke përgatitur dosjet për të dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, për shkelje të drejtave të njeriut dhe po ashtu, janë duke përgatitur dosjen për të ushtruar kallëzimin penal, për të sjellë para ligjit të gjithë personat e përfshirë dhe të cilët kanë kryer vepër penale gjatë largimit të jashtëligjshëm të familjarëve të tyre”, tha avokati Vokshi.
Ai ka shtuar se gjashtë shtetasit turq janë larguar, siç tha ai, sepse nga institucionet përkatëse të Kosovës, në bazë të vendimit zyrtar, janë konsideruar si persona të rrezikshëm për sigurinë kombëtare. Sipas tij, nuk ekzistojnë prova që mbështesin një pretendim të tillë.
Lidhur me padinë e familjarëve të gjashtë shtetasve turq ndaj Qeverisë së Kosovës tashmë është në dijeni edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai e ka konfirmuar një gjë të tillë, të premten e kaluar. Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës “ka filluar një hetim të brendshëm”, lidhur me këtë çështje.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës me 17 prill pati miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Formimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte përkrahur nga grupet tjera parlamentare.
Por, Driton Selmanaj deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se formimi i Komisionit Hetimor po zvarritet.
“Me unanimitet të plotë, të gjitha grupet parlamentare e kanë votuar atë rezolutë dhe pika e parë e asaj rezolute ka qenë themelimi i Komisionit hetimor. Në ndërkohë, PDK, tash po futet në labirinte procedurale. Shihet një frikë nga e vërteta dhe tendencë për ta parandaluar themelimin e këtij komisioni”, tha Selmanaj.
Avokati Vokshi ka shprehur besimin se një Komision Hetues i Kuvendit të Kosovës do të mund të bënte punë të mirë për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te dëbimi i gjashtë shtetasve turq.
“Ne besojmë që komisioni mund të bëj një punë të madhe në hetimin e rastit, për të kuptuar të gjitha rrethanat se si ka ndodhur, të gjithë personat eventualisht të përfshirë dhe cilat janë arsyet prapa kësaj që ka dërguar deri te largimi. Po ashtu, besoj që komisioni, me hetimin me të cilin mund të bëjë dhe të kërkojë si komision parlamentar, mund të gjejë personat përgjegjës dhe të kërkojë që të njëjtit, si prova mbështetëse t’i bashkëngjitë, në mënyrë që të njëjtit të dërgohen në gjykatë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre të kundërligjshme”, tha Vokshi.
Pesë prej shtetasve turq të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Në ditën e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.
Kryeministri Haradinaj pati liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi. Të dy këta, më pas, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.