‘Padia ndaj Serbisë për gjenocid’, Hasani: Paralajmërimi i Kurtit fiktiv dhe joserioz

07 mars 2023 | 16:36

Dakordimi i kryeministrit Albin Kurti me propozimin evropian në Bruksel, që në preambulë ka edhe përkushtimin për të “kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, nga opozita është komentuar edhe si falje e krimeve, ndonëse Kurti pati interpretim tjetër gjatë një përplasje me ta Kuvend.

Pavarësisht kësaj, shumëkush është duke i përmendur deklaratat e Kurtit që në të kaluarën paralajmëronte padi ndaj Serbisë për gjenocid.

Kuvendi po ashtu ka miratuar një projektligj për themelimin e një instituti për krime lufte të sponsorizuar për nga Ministria e Drejtësisë, por kjo çështje nuk është shumë aktuale në kohën kur po zhvillohen negociatat Kosovë-Serbi.

Rreth kësaj teme gazeta “Express” ka folur me Enver Hasanin, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare. Hasani e ka quajtur “fiktiv dhe joserioz” zotimin e Kurtit për padi ndaj Serbisë.

Si e shihni tash premtimin e kamotshëm të kryeministrit Kurti se do të ngrihet padi për gjenocid ndaj Serbisë?
Hasani: Ai premtim ka qenë fiktiv dhe joserioz.

Sa është e vështirë që kjo padi të pranohet nga GjND-ja?
Hasani: Pikërisht për faktin që një gjë e tillë është tërësisht e pamundur, e thash se premtimi ka qenë fiktiv dhe joserioz. Është bërë për galeri të brendshme të votuesit mesatar.

A mundet Kosova ta ngrisë një padi që është e argumentueshme juridikisht?
Hasani: Meritat e një rasti për gjenocid kundër Serbisë, ndoshta edhe do të mund të ndërtoheshin. E them ndoshta për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë dhe provat që kanë relevancë juridike janë komprometuar në pjesën më të madhe nga njerëz të papërgjegjshëm duke i reprodukuar nëpër libra të shkruara për qëllime propagandistike dhe për përfitime personale komerciale.

Në rast të arritjes së marrëveshjes më 18 mars, cili mendoni se do të jetë epilogu i padisë?
Hasani: Asnjë lidhje nuk kanë ndërmjet veti marrëveshja e 18 marsit dhe padia kundër Serbisë për gjenocid, e cila, siç e thash është premtim fiktiv dhe joserioz. Nëse eventualisht ushtrohet padi e tillë, atëherë kjo do të ishte dhurata më e madhe që do t’i bëhej Serbisë dhe regjimit në Beograd.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori amerikan, Charles Kupchan, ka thënë se serbët në Kosovë…