Padia për Haradinajn po vazhdon, nuk tërhiqem
Kryeministri Edi Rama mbrëmë ka qenë i ftuar në “Çim Peka LIVE” dhe, ndër të tjera, është pyetur edhe për zhvillimet politike në Kosovë. I pyetur pse nuk i është përgjigjur kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për një takim për bashkëpunim në kohën e pandemisë, Rama ka thënë se ai takim do të ishte veç një propagandë. “Nuk e kam parë të arsyeshme një takim të tillë propagande. Se ç’pandemi do të luftonim ne në atë format?! Ndërkohë kishte edhe probleme të tjera në Kosovë. Për ju nuk e di, por për mua ishte një shfaqje që nuk e konsiderova të arsyeshme të merrja pjesë”, ka thënë Rama, i cili është pyetur edhe për marrëdhëniet që ka me tre ish-kryeministrat e Kosovës dhe nëse me ndonjërin ka probleme.
“Nuk kam pasur probleme me Isa Mustafën. Me Ramushin dihet historia, që është skandaloze dhe që nuk ka lidhje me Hashim Thaçin. Unë nuk jam Hashim Thaçi. Ndërkohë me Albinin nuk kam pasur ndonjë problem të veçantë. Ato që kemi pasur për t’i thënë i kemi thënë, por nuk kemi pasur ndonjë problem konkret.
Nëse Ramushi është burimi, më thoni t’ia shtoj dosjes së gjykimit. Është fantazi e shtuar si ajo e Ramushit me mua”, ka thënë Rama dhe ka bërë me dije se procesi gjyqësor ndaj Haradinajt, pas padisë së Ramës, është duke vazhduar: “Procesi është në vazhdim. Nuk është një gjyq që do të tërhiqem”, tha kryeministri.
(B. D.: ‘Epoka e re’)