PADIJA DHE GRYKËSIA JANË KRYEPROBLEMET TONA

03 prill 2018 | 13:31

Shkruan: Jakup Krasniqi

(Sulmeve të jashtme t’ju përgjigjemi me mobilizim të brendshëm)

Duhet të jemi të vetëdijshëm, Kosova e pavarur sovrane e demokratike i ka armiqtë e saj, qoftë të drejtpërdrejtë, qoftë të tërthortë, për faktin se shtetin e kemi bërë në shekullin XXI. Prandaj, ne, shqiptarët (apo politika jonë) nuk duhet të merremi me ta, pasi nuk na janë të panjohur. Problemet tona më shumë janë të brendshme dhe nëse ka deklarime të jashtme të pafavorshme deri në armiqësi, burimi i atyre deklaratave janë brenda vendit. Është padija e më shumë mosgatishmëria jonë për të organizuar, ndërtuar dhe përparuar shtetin si duhet dhe me njerëz të duhur.

Është mosgatishmëria jonë politike për të respektuar rendin dhe ligjin. Është lakmia e njerëzve tanë të luftës e të “paqes” për të përdorur pushtetin për interesa individuale e grupore. Është grykësia e njerëzve tanë të luftës e të “paqes” për të grabitur pasurinë kombëtare e publike. Është nepotizmi ynë për t’i vendosur në pozita të rëndësishme të shtetit njerëzit tanë të padijshëm e të dëgjueshëm. Është gatishmëria e të parit të shtetit për t’i kapur të gjitha segmentet vitale të shtetit dhe për t’i bërë ato jofunksionale. Është gatishmëria e njerëzve të vendosur pa ndonjë meritë në institucionet e sigurisë dhe pastaj gatishmëria e tyre për t’ju shitur dreqit e të birit, siç thuhet rëndom.

Është gatishmëria e njerëzve të politikës, ose të afërmeve të tyre, për t’u lidhur për interesa tregtie me kriminelët e Veriut dhe kriminelët e tjerë jashtë vendit, të cilët po të mundnin do ta zhbënin shtetin tonë. Është mosgatishmëria jonë për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Ishte mosgatishmëria e kryeqeveritarëve të deritashëm për të mos krijuar hapësirë ligjore investitorëve të jashtëm e besa as atyre të brendshëm.

Është mosgatishmëria e deritashme e politikës për të ndërtuar një arsim të planifikuar për zhvillimin e vendit. Është mosgatishmëria e njerëzve të instaluar në shëndetësinë publike për të ndërtuar sistemin e duhur të shëndetit publik e për të mos i derdhur milionat jashtë shtetit. Është mosgatishmëria e njerëzve që kanë qeverisur me vendin deri më tani për të ndërtuar një shoqëri të së drejtës sociale, përkundrazi, janë mbjellësit e mjerimit… Që njerëzve të mjerë t’ua blejnë votat!

Është gatishmëria e drejtuesve të institucioneve vitale të vendit për të shkelur ligjet në fuqi dhe Kushtetutën për interesa personale e në dëm të vendit. Prandaj nuk kemi pse të hyjmë në polemika me ata që njerëzit tanë ua mundësojnë ndërhyrjet e tyre në Kosovë, për interesa krejt personale të të parit të shtetit. Që shtatë vjet bisedohet me Serbinë për punët tona të brendshme, pa asnjë kushtëzim të vetëm.

Ndërsa Serbia më se një herë ka ushtruar gjenocid mbi popullin tonë! Edhe sot me ata që po bisedohet gju me gju dhe në distancë, shtetin tonë e quajnë: “terrorist e banditesk” dhe kush po e thotë? Po e thotë njeriu që para pak viteve deklaronte: “Për një serb të vrarë ne do t’i vrasim njëqind boshnjakë”, as për shqiptarët e kroatët nuk mendonte ndryshe. E dhimbjet njerëzore të shkaktuara nga politikat e gjenocidit serb, të parët e shtetit i kujtojnë vetëm në “Facebook”, por, jo atje ku duhet dhe është dashur.

Politika jonë, duhet ta ndërtojë pa hezituar shtetin e së drejtës, shtetin ku sundon rendi e ligji e jo Maliqi. Shtetin që investon për siguri e zhvillim e jo për krim e korrupsion. Nëse politika shqiptare, aty ku është e ulur në karrigen e pushtetit, punon pa hile për kombin e shtetin, për sigurinë kombëtare e progresin shoqëror, s’ka pse i dëgjon dërdëllitjet nga Beogradi dhe miqtë e tyre.

Beogradi për gati 100 vjet nuk ka dashur të dëgjoi e të bisedoi, çka mund të presim tani nga krijesat e politikës që ka ushtruar gjenocid mbi popullin tonë?  Të gjitha vitet e bisedimeve të Brukselit po e konfirmojnë kotësinë e dialogut Kosovë-Serbi. Kërcënimeve te Serbisë, se “ketë muaj do ta bëjnë Zajednicën”, duhet t’ju përgjigjemi meritueshëm. Ata le të krijojnë Zajednica në Serbi. Për Kosovën vendosim ne dhe ne e kemi asociacionin e komunave, ai, statuti i tij, duhet të vlej edhe për komunat me shumicë serbe.

Kur politikanet tanë, përgjegjësit e politikës nacionale t’i kryejnë detyrat e tyre në shërbim të kombit e të shtetit, deklaratat e të tjerëve, ngado që do të vijnë, do të kenë efektin e “borës së parvjetme”!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Skenderajt është në fazën e parë të implementimit…