Padrejtësia e drejtësisë ndërkombëtare është shqetësim për tërë komunitetin global
Shkruan: Besa Ismaili, ish deputete e Kuvendit të Kosovës
Kjo sepse strukturat dhe institucionet juridike ndërkombëtare që synojnë të promovojnë përgjegjësinë dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut, jo rrallë janë shfaqur të anuara krahë të fortëve duke treguar dallime anuese në zbatimin e drejtësisë.
Vendet dhe individët më të fuqishëm jo rrallë herë kanë shmangur përgjegjësinë për veprimet e tyre, ndërkohë që grupet dhe shtetet e marginalizuara, viktima të më të fuqishmëve, janë ballafaquar me pasoja persekutuese.
Kjo pabarazi në trajtim të palëve e ulë besueshmërinë dhe efektshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare, duke rritur pandërshkueshmërinë e meritorëve në dëm të viktimave.
Kjo përndjekje e çlirimtarëve të Kosovës është e paprecedentë!
Ne, që nuk pamë ende drejtësi për mijëra viktima të krimeve monstruoze të Serbisë, nuk kemi parë as përndjekje të kriminelëve të luftës në Serbi, dhe as të bashkëpunëtorëve të kasapit Millosheviq që sot janë në pushtet, nuk kemi parë as dënime madje të gjuhës për përsëritje të historisë. Dhe kjo është brengosëse!
Ky hov ndaj protagonistëve të UÇK-së kudo sot, formëson mendim jo të mirë për drejtësinë ndërkombëtare deri në atë masë se mund të mendohet që po të ishte gjallë sot komandanti legjendar Adem Jashari, mbase edhe ai do të ndodhej në Hagë, dhe jo vetëm. Mbase edhe Alija Izetbegpviqi do të ishte atje. Kushedi mbase edhe Zelenski mund të jetë atje në të ardhmen.
Dhe kjo është brengosëse!
Duhet përpjekje reale për adresimin e këtyre dallimeve dhe sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjithë, që drejtësia të ngushëlloj viktimat dhe të dekurajojë kriminelët e luftërave.
Përndryshe, premtimi i drejtësisë ndërkombëtare për drejtësi për viktimat dhe ndëshkueshmëri për kriminelët do të mbetet i paqëndrueshëm.