Paga e asamblistit do të jetë nga 556 euro deri në 630 euro (dokument)
Ndonëse ishin përfaqësuesit e popullit të nivelit komunal, pagat e tyre lënin shumë për të dëshiruar. Pozita e anëtarit të kuvendit komunal e njohur ndryshe edhe si asamblist, nuk konsiderohej shumë punë e dëshiruar për faktin se paga që merrnin anëtarët e kuvendeve komunale ka qenë shumë e vogël, e përgjegjësia e vendimmarrjes ka qenë e madhe, shkruan “Epoka e re”.
Shpeshherë partitë politike kanë pasur vështirësi në sjelljen e emrave në kuadër të listave të tyre zgjedhore, për shkak se pagat ishin shumë të vogla. Një këshilltar komunal ka marrë pagë bazë 100 euro dhe 125 euro mëditje për pjesëmarrje në seancat e kuvendit komunal. Me çka paga e një anëtari të kuvendit komunal ka qenë hiq më shumë se 225 euro.
Me Ligjin e ri të Pagave është bërë rritje e konsiderueshme e pagave për asamblistët, por që të njëjtat përshkallëzohen në varësi të numrit të banorëve që ka komuna përkatëse.
Deri më sot paga e një anëtari të kuvendit komunal ka qenë e njëjtë për të gjithë 225 euro, ndërsa sot për komunën me numrin më të vogël të banorëve paga bazë është 556.50 euro, ndërkaq për komunën me numrin më të madh të banorëve paga bazë është 630.00 euro.
Derisa në të kaluarën anëtaret e kuvendeve komunale kanë marrë mëditje edhe për pjesëmarrjet në komitetet e përhershme, me Ligjin e ri të Pagave kjo mëditje është rregulluar me sa vijon:
Anëtaret/ët e Kuvendit Komunal për pjesëmarrje në komitetet e përhershme, mund të marrin një shtesë të posaçme prej tridhjetë për qind (30%) të pagës bazë të përcaktuar për anëtaren/ in e Kuvendit.
Anëtaret/ët e Kuvendit Komunal, që marrin një pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës, përfitojnë vetëm shtesën sipas paragrafit 4. të këtij neni.
Shtesa sipas paragrafit 4. të këtij neni jepet vetëm një (1) herë brenda muajit dhe paguhet vetëm nëse anëtaret/ët e Kuvendit Komunal marrin pjesë në komitetet e përhershme të Kuvendit Komunal.
Kjo rritje e pagave i prekë mbi 1 000 familje në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa për kryesuesit e kuvendeve komunale po ashtu është përdorur formula e numrit të banorëve në varësi të komunës përkatëse. P.sh., për komunën me numrin më të vogël të banorëve paga e kryesuesit do të jetë në lartësinë e gradës/koeficientit 6.3 deri në gradën/koeficientin 7 për kryesuesin e kryeqytetit, raporton “Epoka e re”.
Kjo rritje e pagave për Kryesuesit dhe anëtarët e kuvendeve komunale është premtuese dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në shtator të vitit 2025, listat e partive politike do të kenë konkurrencë më të madhe brenda për brenda për përfshirje në lista dhe gjithashtu pritet të rrisin cilësinë dhe përfshirjen e sa më shumë profesionistëve nëpër kuvendet komunale. Meqë pagat e mëhershme janë parë si jofavorizuese dhe më shumë janë konsideruar si pozita punësimi për anëtarët dhe militantët e subjekteve politike.
/Epoka e re/