Paga minimale caktohet në bazë të “Shportës” jetësore
Prof. Dr. Musa LIMANI
Në Kosovë, shumë vite më parë dhe aktualisht, si problem në vete dhe mjaft kompleks, në fushën e tregut të punës, pa dyshim, paraqet nivelizimi i pagave nominale, në veçanti përcaktimi i pagës minimale. Ndonëse, ekziston disproporcion shumë i madh në mes nivelit të pagës më të lartë dhe pagës më të ultë, veçmas nivel shumë i ulët i pagës minimale, pensioneve dhe familjeve me ndihma sociale, edhe për rreth kësaj, edhe sot e kësaj dite kjo çështje nuk është zgjidhur. Siç dihet, niveli i pagave përcaktohet në saje të zhvillimit ekonomik (forcave prodhuese) dhe nivelit të çmimeve, por asnjëra e as tjetra nuk po merren në konsiderim me rastin e nivelizimit të pagave dhe përcaktimit të pagës minimale. Në kontekst të kësaj, duhet potencuar se në Kosovë kemi çmime evropiane, e paga afrikane, që paraqet absurditet të llojit të vet.
Në ketë shkrim, unë do të bëjë një analizë profesionale shkencore, si duhet të përcaktohet dhe sa duhet të jetë paga minimale dhe rëndësia e saj për konsumatorin. Për përcaktimin e pagës minimale zbatohen shumë forma dhe mënyra të ndryshme, si në Kosovë, ashtu dhe në përmasa botërore. Mirëpo, sido që të jetë, modeli kryesor, më objektiv dhe më real që përcakton vlerën e pagës minimale, pa dyshim, është “Shporta” jetësore. Shporta jetësore, në vete përfshin artikujt kryesor (bazik) ushqimor që shërbejnë që brenda ditës të fitohebn 2.600 kl, që sigurojnë ekzistencën fizike, e që ndryshe quhet “varfëria ushqimore apo fiziologjike”. Vlerësimi i pagës minimale, bëhet në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë, të cilat i publikon Agjencioni i Statistikave të Kosovës. Pra, vlera e pagës minimale nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare, si kërkon apo dëshiron “dikush” si po ndodh me Qeverinë e Kosovës, por në baza shkencore duke llogaritur vlerën e nevojshme në bazë të “Shportës” jetësore, që përfaqëson në mënryën më reale dhe më objektive plotësimin e nevojave fiziologjike. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, në Kosovë nuk përdoret kjo metodë, por vlera e pagës minimale përcakohet në mënyfë arbitrare me vendim të Qeverisë.
Andaj, përcaktimi i nivelit të pagës minimale, nuk mund të bëhet me “zgjate dorën”, në kuptimin të bëhet “pazar”, në mes të Qeverisë dhe përfaqësuesve të punëtorëve dhe strukturave tjera, që duhet të përfshihen në negociata me ketë rast. Kështu, paga minimale bëhet, që të sigurohet ana materiale për të blerë artikujt ekzistencial për jetë. Mirëpo, në Kosovë kjo nuk përfillet e as nuk zbatohet me rastin e përcaktimit të nivelit të pagës minimale. Në Kosovë, deri më tani, paga minimale është përcaktuar në bazë të vendimit që merrë Qeveria, pa marrë parasysh inflacionin dhe fuqinë blerëse të konsumatorit. Në ketë mënyrë deri më tani është përcaktuar niveli vlerësor i pagës minimale në Kosovë. Më 2011, në mënyrë arbitrare me vendim të Qeverisë ishte caktuar paga minimale 130 dhe 170 euro, që është në fuqi edhe sot e kësaj dite. Tani, vetëvetiu shtrohet pyetja. Me çfarë formule apo modeli është llogaritur se paga minimale në Kosovë, duhet të jetë 130 euro për punëtorët deri në 35 vjet, e 170 euro për punëtorët mbi 35 vjet. Absurditet i llojit të vetë që mund të ndodhë vetëm në Kosovës. Për ketë nivel të pagës minimale, nuk ka as sqarime e as arsyetime nga ana e Qeverisë. Së pari, do të thoja se, përcaktimi i nivelit të këtillë të pagës minimale, është bërë pa kurfarë kriteresh ekonomike e sociale dhe si e tillë është e pa justifikueshme e më pak e pranueshme, si në pikëpamje metodologjike ashtu dhe vlerësore. Së dyti, kjo ndarje në baza moshore, paraqet diskrimin te të punësuarit. Aq më parë, kur dihet se numrin më të madh të të punësuarve e përbëjnë punëtorët e moshës së re. Paga minimale nuk duhet të caktohet sipas moshave, por duhet të jetë lineare, sepse plotësimi i nevojave ekzistenciale është i njëjtë për të gjitha moshat për kah sasia, ndonëse jo edhe struktura.
Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Kush punon në këto kushte të nivelit të lartë të çmimeve, me një pagë të ulët?!! Kur kësaj i shtojmë inflacionin, vlera e pagës minimale aktuale është me e ulët për normën e inflacionit gjatë periudhës 2011-2023, përkatësisht rritjen e nivelit të çmimeve. Andaj, kjo pagë minimale që është ende në fuqi, pos tjerash, paraqet njerën ndër faktorët e shumtë, që po ndikon në migrimin e rinisë sonë, potencialit kryesor të zhvillimit ekonomik e shoqëror, si dhe të mjekëve, motrave medicionale e profileve tjera. Bile ka raste që edhe të punësuarit po e lëshojnë Kosovën, për shkak të pagave të ulëta. Kjo po ndikon që tani, në Kosovë të mungojë fuqia punëtore, veçmas në mjekësi, gastronomi, ndërtimtari, bujqësi etj. Tani shumë biznese në Kosovë, po “importojnë” marrin punëtor nga vendet e Lindjes së Largët, si: nga India, Bangladeshi etj. Është për të konstatuar se që nga viti 2011 e deri në ditët e soteme, edhe për rreth inflacionit të madh, paga minimale dhe nominale (heq disa raste), kanë mbetur në nivelin e këtij viti, pra të “ngrira”. Andaj, duke pasur parasysh inflacioni permanent në periudhën 2010-2023, paga minimale dhe nominale është devalvuar për 37,2% (shih për ketë: Indeksi i Harmonizimit të Çmimeve të Konsumit-IHÇK, Prishtinë, gusht 2024). Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se për ketë normë të inflacionit në ketë periudhë është zvogëluar buxheti familjar, përkatësisht fuqia blerëse e konsumatorit.
Është për të ardhur keq, por është e vërtetë se, deri më tani asnjë Qeveri, e as Qeveria aktuale, nuk e kanë llogaritur vlerën e pagës minimale, në bazë të vlerës së “Shportës” së jetesës, por e kanë përcaktuar me vendim, sipas vullnetit të tyre. Kështu, edhe Qeveria aktuale në vitin e kaluar (2023), në mënyrë arbitrare me vendim, përcaktoi vlerën e pagës minimale bruto 267 euro, e cila asnjëherë nuk u zbatua. Ndërkaq, në ketë vit (2024), po ashtu Qeveria në mënyrë arbitrare me vendim ngriti vlerën e pagës minimale bruto në 350 euro. Këtë rrije Qeveria e bëri krye në vete, pa negocuiar me Këshllin Ekonomik e Social, BSPK-ën, Odat Ekonomike, Shoqatat e punëtorëve, Shoqërinë civile etj. Tani vetëvetiu shtrohet pyetja. Në çfarë baze, apo në saje të cilave kritereve, Qeveria brenda një viti rriti vlerën e pagës minimale për 83 euro (350-267), apo për 31,1%?!! Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, edhe kjo vlerë e pagës minimale 350 euro bruto, nuk do të jetë aq (neto) që do të marrin punëtorët, por do të jetë më e ulët për dy arsyra: Së pari, vlera e saj është dukshëm nën vlerën e pagës minimale që do të duhej të ishte në ketë vit sipas “shportës” jetësore, dhe, së dyti, do jetë me e ulët për vlerën e normës së tatimit në paga. Andaj, këto manevrime me rritjen e pagës minimale, logjikisht duhet kuptuar se Qeveria e ka bërë për marketing të brendshëm, sepse po bëhet në pragë të zgjedhjeve qendrore.
Tani vetëvetiu shtrohet pyetja. Pse Qeveria e rriti vlerën e pagës minimale, bash tani, në prag të zgjedhjeve qendrore, e nuk e kishte rritur më parë gjatë mandatit të saj. S’ka dyshim se kjo rritje nuk është bërë që të përmirësojë gjendjen financiare të punëtorëve, por për marketing të brendshëm. Me fjalë të tjera, ky hap parqet premtime para elektorale nga ana e Qeverisë. Ketë hap nuk po e bënë vetëm Qeveria, por edhe partitë opozitare kanë filluar të premtojnë diç të pa prekshme. Kështu, dukush po premton, “nëse do jem Kryeministër paga mesatare do të jetë 1000 euro”, tjetëri thotë: “Nëse unë do jem Kyreministër, që në javën e parë, do të rris koeficientin e pagave në 150”.?!! Siç dihet, pagat nuk rriten me deklarata, por nevojitet zhvillim dinamik ekonomik. Partitë, si kanë filluar kështu, në fushatën elektorale, do të kemi premtime marramendëse për zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe për rritjen e pagave, në bazë të të cilave, Kosova do të jetë vendi më i zhvilluar në Evropë. Si më parë, kjo do të jetë vetëm gjatë fushatës, më pas nuk do të përmendet zhvillimi ekonomik, e as nivelizimi i pagave dhe përcaktimi i vlerës së pagës minimale. Mirëpo, për fat të mirë, votuesi i ka kuptuar këto “rrena” dhe shpresojmë të mos bien pre e këtyre premtimeve marramendëse.
Siç kemi cekur më sipër, treguesi më relevant që shpreh nivelin e standardit jetësor të popullatës, pa dyshim është “shporta” jetësore, ap siç mund të quhet ndryshe “barometri i varfërisë”. Shporta jetësore, apo minimumi i ekzistencës, shpreh dhe përcakton nivelin e domosdoshëm të të ardhurave, përkatëisht të të hyrave buxhetore të individit dhe familjes së tij, për t’i plotësuar nevojat e mbijetesës minimale, apo siç thotë populli “sa për të gjallëruar”. Shporta e jetesës gjithëkund në botë, andaj edhe tek ne, duhet llogaritur në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë (Consumer Price Index-CPI), ku përfshihen artikujtë ekzistsencial (bazik) të jetesës fizike. Në vazhdim sjellim vlerën e shportës së jetesës dhe nivelin (vlerën) e pagës minimale që është dashur të ishte nëpër disa vite në Kosovë. Këto të dhëna i kemi llogaritur në bazë të modelit ndërkombëtar të “shportës” jetësore, më sa vijon: Është llogaritur konsumi mujor me njësi matëse të artikujve ekzistencial për një individ sipas standaradeve ndërkmbëtare që sigurojnë 2600 kl në muaj, shumëzuar për katër (4), që paraqet standard botëror për familjen mesatare, në bazë të çmimve me pakicë nëpër vite. Çmimet e artikujve që përfshihen në “shportën” jetësore, i kemi marrë të dhënat publike përë çdo vit kalendarik nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës (ASK). Andaj, sipas këtij modeli të llogaritjes së “shportës” jetësore, kemi ardhur deri të vlera e pagës minimale neto nëpër disa vite, më sa vijon: më 2013, paga minimale neto do të duhej të ishte 273,24 euro (65,82×4), më 2014-263,28 (65,82×4), më 2016-250,64 (62,66×4), më 2018-277,40 (69,35×4), më 2019-298,76 (74,69×4) dhe më 2023-361,79 (89,70×4). Ndërkaq, vlera e pagës minimale më 2023 nga Qeveria ishte propozuar të jetë 250 euro neto pa ndonjë analizë e kriter ekonomik. Çka është edhe me keqja kjo normë as që u realizua. Ndërkaq, vlera e pagës minimale më 2024, me vendim të Qeverisë u propozuar të jetë 350 euro bruto.Tani shtrohet pyetja, si u bë që për një vitë të rritet paga minimale për 100 euro. Si të arsyetohet kjo, pos që i vjen era “popullizëm” para zgjedhjeve qendrore. Vlera e pagës minimale më 2024 do të duhej të ishte rreth 400 euro neto (362×1,4 = 367,07 euro neto (paga minimale 2023 herë norma e inflacionit në muajin gusht 1,4%). Për ketë shih: Buletini Mujor Statistikor nr. 275, korrik 2024). Kuptohet, duke marrë parasysh rritjen permanente të inflacionit, që pritet të jetë në kuartalin e IV, kur oferta vendore e artikujve bazikë do të zvogëlohet, që deri në fund të viti 2024, do të jetë me e lartë se 1,4%. Kjo do të thotë se paga minimale më 2024, do të sillet rreth apo diç mbi 400 euro neto.
Andaj, duke u bazuar në rritjen e invlacionit, mendojmë se më 2024, vlera e pagës minimale do të duhet të ishte rreth ose diç mbi 400 euro neto, varësisht nga norma e inflacionit në fund të vitit 2024. Prandaj, përcaktimi i pagës minimale 350 euro bruto në vitin 2024, siç ka propozuar Qeveria, nuk është reale, sepse është nën vlerën e shportës jetësore, bile nuk do të jetë as aq, por do të jetë me e ulët për vlerën e normës tatimore në paga. Edhe po qe se aprovohet kjo vlerë e pagës minimale, nuk do të jetë e mjaftueshme për konsumatorët për të përballuar “shportën” e jetesës, duke pasur parasysh nivelin aktual dhe ngritjen permanente të çmimeve të artikujve ekzistencial. Andaj, paga minimale prej 400 euro neto, do të jetë e arsyeshme dhe do i ofrohej pagës minimale të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pagat minimale në vendet e Ballkanit Perëndimor nga një (1) janari 2024 ishin: në Shqipëri 397 euro, në Maqedonin Veriore 360 euro, në Mal të Zi 533 euro, në Serbi 405 euro dhe në Bosnjë-Hercegovinë 317 euro. Mendoj, e duke patur parasysh edhe mundësin financiare të biznesve në sektorin privat, që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk mund t’i përgjigjen pagës së lartë minimale, paga minimale më 2024, do të duhej të ishte më së paku 400 euro neto. Kjo vlerë e pagës minimale për çdo vitë duhet të rritet për normën e infalcionit, me qëllim që të ruhet fuqia blerëse e kësaj page.
S’ka dyshim se rritjes së vlerës së pagës minimale edhe prej 350 euro bruto, një numër i konsiderueshëm i bizneseve të sektorit privat, për shkak të problemeve afariste dhe financiare, nuk do të jetë në gjendje t’i përballojë (përgjigjej) e aq më pak nëqoftë se ajo caktohet 400 euro, apo më tepër. Kjo do të sjellë veprime negative në tregun e punës, por nuk do të thotë se vlera e pagës minimale nuk duhet të përcaktohet në bazë të ”shportës” jetësore. Në këto kushte, një numër i konsiderueshëm i bizneseve private, mund t’i ngritin çmimet e prodhimeve të tyre të artikujve ushqimor dhe shërbimeve apo të mbajnë punëtorë pa kontratë pune. Me ketë rast, do të kemi evazionin fiskal në tregun e punës. Këtë e ka vërtetuar edhe praktika e deritanishme. Më parë, por edhe aktualisht, kemi këso rastesh. Ketë më së miri e vërteton fakti, kur në kohën e pandemisë, Qeveria vendosi t’iu jap nga 100 euro të punësuarëve, duke i përfshirë edhe ata pa kontrata pune, doli se mbi 12 mijë të punësuar nuk kishin kontrata pune. Çështja e mos lëshimit të kontratave të të punësuarëve, do të paraqes problem në vete dhe mjaft kompleks. Me ketë rast do vije deri të zvogëlimi i numrit të të punësuarëve, sepse do të kemi të punësuar të pa paraqitur, përkatësisht latent (të fshehur), që kanë efkete negative të dy anshme. Të punësuarëve pa kontrata nuk do t’iu paguhet kontributi në paga, që ndikon në zvogëlimin e të hyrave në Trustin e Kursimeve Pensionale, që me rastin e daljes në pension nuk do të kenë kursime, në një anë, dhe do të jenë më pak të hyrat publike nga tatimi në paga, në anën tjetër. Mirëpo, siç dihet Qeveria i ka mekanizmat e vet, siç janë inspektorët e tregut etj. që do mund të kontrollonin një dukuri të tillë.
Andaj, nga e gjithë ajo që u tha më sipër, nuk është vështirë të konstatohet se, në kuadër të ekonomisë së Kosovës, viteve të fundit, problem dhe sfidë kryesore, është mos zhvillimi ekonomik dhe inflacioni-rritja e çmimeve edhe atë kryesisht në artikujt bazë ekzistencial për jetë. Ekonomia e Kosovës gjendet në një krizë të thellë, në fazën e recesionit, si quhet në ekonomi. Treguesit më relevant makroekonomik, kanë shenjë negative. Edhe për rreth kësaj, Qeveria asnjëherë nuk e vuri në agjendën (rend dite) e saj, për të analizuar rrjedhat ekonomike. Zhvillimi ekonomik në Kosovë, po zhvillohet ad hoc, pa vizion e pa strategji zhvillimore afatgjate. Veçmas sektori privat iu është lënë stihisë, i cili paraqet bartësin kryesor në zhvillimin ekonomik. Andaj, për të ndryshuar kahjet negative të treguesve makroekonomik dhe për të ndryshuar strukturën e pavolitshme ekzistuese ekonomike, si dhe për të siguruar një dinamikë më të shpejtë, Qeveria duhet të bëjë reforma rrënjësore ekonomike.
Siç dihet, inflacioni paraqet “kancer” në ekonomi, sepse si i tillë ai çrregullon rrjedhat ekonomike dhe ulë standardin jetësor të popullsisë. Andaj, në rastet e paraqitjes së lartë të normës së inflacionit, siç është rasti edhe me Kosovën, duhet të intervenohet në pikëpamje institucionale nga ana e Qeverisë për ta “luftuar” zbutur dhe evituar pasojat e inflacionit që sjellë në ekonomi dhe te popullata. Për fat të keq, Qeveria e Kosovës për frenimin apo zbutjen e inflacionit, nuk mori kurrfarë masash të politikës së zbatuar mekroekonomike. Për ketë qëllim, Qeveria mori disa ndihma materiale që kishin karakter të njëhershëm dhe afatshkurtë, por nuk mori asnjë masë e as instrument për stabilizim afatgjat të inflacionit. Masat që i ndërmori Qeveria në këtë fushë, ishin dhënia e nihmave materiale punëtorëve me para të gatshme (100, 50 euro etj.), si dhe ndihma financiare për izolimin e shtëpive dhe blerjen e pajisjeve elektronike për kursimin e energjisë elektrike. Këto masa nuk përkojnë me ekzekutivin, por asocojnë në Kryq të Kuq, në shoqërinë “Nënë Tereza”, pra dhënia e ndihmave, apo “sadakas”, siç bëjnë të gjitha shoqërit bëmirëse. Me fjalë të tjera, me këso ndihmash, Qeveria punëtorëve e popullatës ua siguroi “peshkun”, por nuk i mësoi të zënë “peshq”. Kështu është një e thënë ekonomike kineze: “Nëse me jep një peshk, më ke siguruar drekën, por nëse më mëson të zë peshq, më ke siguruar jetën”. Lidhur me këtë duhet potencuar se, gjithëkund në botë, ku funksionon ekonomia e tregut, inflacioni “luftohet”, përkatësisht frenohet me masa dhe instrumente të politikës fiskale, të tregtisë së jashtme dhe politikës kreditore. Unë nuk di që Qeveria jonë ka marë ndonjë nga këto masa për të ngadalsuar, apo për të evituar disa efekte negative të tij. Mendoj se, kjo është në mungesë të profesionalizmit dhe përvojës teorike dhe pragmatike për zhvillimin makroekonomik të ekzekutivit.
S’ka dyshim se problem dhe sfidë në vete tani në Kosovë paraqet inflacioni-rritja e çmimeve. Ky njëherit paraqet edhe një tregues shumë relevant të krizës ekonomike. Në mungesë të punësimit, kemi migracion enormë të rinisë, potencialit kryesor ekonomik, rënia e konsumit familjar, si element kryesor i BPV (C), në një anë, dhe rritja e kredive konsumuese, në anën tjetër, shprehin nivelin e ulët zhvillimor ekonomik. Pas marrjes së vizave u zbrazë Kosova dhe u ulë mirëqenia e popullatës. Tregues më relevant që tregon së pjesa dërmuese e popullatës ballafaqohet me mungesë të mjeteve materiale, për t’i përballuar shpenzimeve për blerjen e artikujve ekzistencial është kredia konsumuese. Është dukuri alarmuese rritja e kredive konsumuese. Sipas BQK-së, kreditë konsumuese më 2023, janë rritur për 114 milion euro (23,0%), në raport me vitin paraprak. Ky tregues më së miri shprehë pa mundësinë e mbulimit të shpenzimeve të artikujve ekzistencial-bazikë. Me fjalë të tjera, rritja e kredive konsumuese shpreh nivelin e ulët të buxhetit familjar dhe pamundësinë e sigurimit të jetesës fizike te pjesa dërmuese e popullatës. Niveli i pagave reale ekzistuese, veçmas në sektorin privat, nuk e përballon vlerën e shpenzimeve të artikujve bazikë. Edhe për rreth kësaj, as Qeveria e më parshme, as Qeveria aktuale, nuk arriten të bëjnë nivelizimin e pagave, veçmas përcaktimin e pagës minimale, që po shprehet në rënien e standardit jetësor të pjesës dërmuese të popullsisë së Kosovës. Varfëria dhe problemet sociale po rriten dita ditës.
Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë vetëm dy shtresa të popullatës: të pasur dhe të varfur. Shtresa e pasur disponojnë pasuri milionshe, kurse shtresa e varfër, që përbëjnë shtresën dërmuese të popullatës në Kosovë, po ballafaqohen me ekzistencën fizike, përkatësisht me probleme sociale. Niveli i ulët i pagave nominale dhe pagës minimale karshi nivelit të lartë të çmimeve ka ndikuar të rritet varfëria dhe të ulet standardi jetësor i tyre, që duhet të jetë dukuri alarmuse për Qeverinë.
Dhe krejt në fund të këtij shkrimi bëjë apel te Qeveria e Kosovës, që sa më parë të zgjidhë çështjen e nivelizimit të pagave, me prioritet të përcaktimit të pagës minimale, duke u bazuar në kritere ekonomike e sociale, veçmas duke pasur parasysh vlerën e “Shportës” jetësore, e në koordinim (negociata) me partnerët e klasës punëtore, si dhe me të gjithë akterët që i tangon kjo çështje aq e ndieshme sociale, e jo në bazë të vendimit (vullnetit) e pazarllëqeve në kuptimin “zgjate” dorën. Popullata është në krizë sociale.
Andaj, kam lirinë si ekonomist dhe intelektuat të apeloj te Qeveria dhe akterët që i tangon kjo fushë shumë e ndieshme sociale, mos u shtyeni në “pazarllëqe” rreth vlerës së pagës minimale, e mos bëni “hajgare” me punëtorët, pensionistët, familjet që marrin ndihma sociale, përkatësisht me popullin, se një ditë kur të shpërthej problemi social, nuk ka kush që e ndal. Keni obligim institucioanal e moral që interesin personal, grupor e partiak, mos e veni para interesit të përgjihshëm, sepse një ditë do ju denojë populli. Gjyqi i popullit është më i larti dhe i pa mëshirshëm për të gjithë ata që kanë vepruar e veprojnë kundër interesit të popullit.
Nju Jork, më 24.09.2024