Paga minimale në Slloveni bëhet 667 euro
Partia e Majtë sllovene paraqiti sot projektligjin mbi pagën minimale, e cila parashikon një formulë të re për përcaktimin e të hyrave minimale nga viti 2021, si dhe normat për rritjen e minimumit për 2019 dhe 2020.
Projektligji tashmë është miratuar në parim nga të gjitha partitë e koalicionit, raporton “STA”.
Sipas këtij propozimi, paga minimale, e cila aktualisht është 638.42 euro neto, do të rritet vitin e ardhshëm në 667 euro, ose në 700 euro në vitin 2020.
Paga minimale përcaktohet aktualisht nga ministri përgjegjës për Punën, bazuar në inflacionin dhe zhvillimet tjera makroekonomike, transmeton “kp”.
Sipas formulës së re që do të hyjë në fuqi në vitin 2021, paga minimale në Slloveni do të jetë më e madhe se kostoja minimale e jetesës së paku 20 për qind, që tani do të arrijë në 736 euro në muaj.
Të dhënat e Ministrisë së Punës tregojnë se rreth 42.000 njerëz, prej të cilëve pothuajse 35.000 në sektorin privat, aktualisht marrin një pagë minimale.