Pagat për minatorët e Trepçës pritet të ekzekutohen javën e ardhshme

02 gusht 2024 | 22:17

Pritja dy mujore e minatorëve të “Stan Tërgut” për pagat, pritet të marrë fund javës që vjen.

Një gjë të tillë e ka pohuar për televizionin Dukagjini, kryeshefi i Trepçës Bashkim Kurti, pas një takimi që ka zhvilluar të premten me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Ne kemi takime të rregullta në baza ditore. Sot jemi takuar me ministren Rizvanolli dhe kryesuesin e bordit për sqarime shtesë dhe po besoj se në fillim të javës së ardhshme do dalin pagat dhe minatorët do t’i kthehen punës”, ka thënë Kurti.

Dy ditë më parë, minatorëve që janë në grevë tash e 25 ditë, u ishte premtuar një lajmërim nga Bordi i ndërmarrjes, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

E për këtë, ata shprehen të zhgënjyer.

“Jo ata, sipas informatave, ka pas bordi me ardhë nesër qat ditë që kem na atje. Kanë shpresu me pas një përgjigje pozitive. Sipas informatave, më thanë se i kanë pyt pse s’kanë ardh e kanë thanë që s’kem përgjigje pozitive. Që ka vijmë, që jo s’kem”., ka thënë minatori Gani Osmani.

E të njëzëri janë edhe minatorë të tjerë të cilët thonë se janë në gjendje të rëndë.

“Unë ju bëj apel qeverisë të merr masa të ekzekutohen pagat sa më shpejt. E lus të del nga ky ngërç se sot me na dal pagat, ne ja nisim punës. Po ka presion me ia fillu punës po s’mundesh me ja nis kur nuk ke bukë. Është punë e vështirë ajo”, ka thënë minatori tjetër Miftar Mehmeti.

Dy ditë më parë, Ekzekutivi është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rima si dukuri poetike apo procedurë e zbatuar nga poetët…