Pagesat e policës kufitare bëhen “online”
Pas punës intensive të iniciuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në pikëkalimin kufitar Merdar, të enjten zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,Dardan Gashi, ka lansuar edhe zyrtarisht softuerin e pagesave “online” të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë.
Ministri Gashi i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtori i policisë kufitare, Shaban Guda, dhe zyrtarët e BKS-së, ka vlerësuar rëndësinë e madhe të këtij projekti.
“Duke u kryer pagesat online do të eliminohen edhe pritjet e mërgimtarëve në kufi. Kjo ditë është e veçantë, sepse lansojmë softuerin për pagesën e policave ‘online’. Me këtë bashkatdhetarëve do t’u lehtësohet në mënyrë drastike hyrja në Kosovë. Më nuk do të krijohen radhë të gjatë, por pagesa do të mund të bëhet në mënyrë elektronike ‘online’”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se po punohet për heqjen e tërësishme të kësaj pagese. Gashi ka falënderuar në veçanti edhe ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili ka punuar intensivisht për jetësimin e këtij projekti të rëndësishëm.
Edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka përgëzuar fillimin e këtij projekti, i cili në masë të madhe do t’i lehtësojë procedurat e kalimit në pikat kufitare.
Ky sistem do të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare. Për çdo informacion lidhur me policën e sigurisë, bashkatdhetarët do të mund të informohen në detaje në Byronë Kosovare të Sigurimeve.