Pagesat nga pakoja emergjente pritet të kryhen në javën e ardhshme
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se pas dekretimit të Ligjit për buxhetin, ekzekutimi i pagesave nga pakoja emergjente pritet të bëhet në javën e dytë të gushtit.
Ai ka thënë se sot ose nesër do të publikohet Ligji në gazetën zyrtare, ndërsa implementimi i tij pritet të nisë nga e hëna e 10 gushtit. Në Ligjin për Buxhetin ishte përfshirë edhe pakoja emergjente, që nuk ishte implementuar plotësisht. “Të gjitha këto besoj mund të realizohen në javën e ardhshme, pra obligimet që i kemi në raport me masat e pakos fillojnë dhe mund të realizohen brenda javës. Të gjitha obligimet fillojnë të implementohen prej të hënës dhe besoj deri në fund të javës pjesa më e madhe e obligimeve do të përfundoj. Dhe pastaj fillojmë me masat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike që është një proces që do të fillojë për rimëkëmbje e do të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi për “KP”.
Sot, gjatë ditës presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin 2020, për të cilin ka shkruar se këtë dekretim të menjëhershëm e ka bërë që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët dhe të zbuten pasojat e pandemisë.
Pas dekretimit të Ligjit për Buxhetin, kryeministri Avdullah Hoti, kishte thënë se kanë nisur përgatitjen për pagesat për punëtorët e mbetur të papunë, qiratë e ndërmarrjeve dhe familjet pa të ardhura. Ai ka shkruar në profilin e vet në “Facebook”, se është duke u bërë plani për shpërndarjen e mjeteve edhe për masat e rimëkëmbjes ekonomike, i cili plan do të miratohet në Qeveri së shpejti.
Ndër masat kryesore në pakon emergjente ishin pagesat prej 170 euro për punëtorë të sektorit privat, ndihma në pagesën e qirave për bizneset dhe pagesa për personat që humbën vendet e punës në kohë pandemie.