Pahor: Kam një plan për dialogun Kosovë-Serbi, por s’mund ta them tani
Ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili ka gjasa të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se ky proces ka ngecur për shkak të mungesë së besimit.
Në një intervistë për “Kosovo Online”, ai ka thënë se ka një plan për rikthimin e besimit dhe për vazhdimin e dialogut.
I pyetur se çfarë do të ndryshonte në dialog dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor tha se këtë tani nuk mund ta thotë, por shtoi se është i interesuar për postin e emisarit special të BE-së.
“Nuk mund ta them këtë tani, derisa të mos fillojë procesi. Unë kam vendosur të hyj në atë proces dhe më pas, nëse ata e pranojnë atë vendim, do t’i them dhe do t’i ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.
Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt. I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por pa optimizëm as 2050 nuk do të jetë një vit realist.
“Optimizmi ka ekzistuar në 2004, nuk ekziston sot. Prezantimi im në tubim, kur thashë për vitin 2030, nuk u prit me duartrokitje, sepse askush nuk beson se as BE-ja dhe as vendet e rajonit do të jenë gati në vitin 2030. Por nëse vazhdojmë kështu, rajoni nuk do të jetë në BE as në vitin 2050. Dhe koha po ikën”, theksoi Pahor në Lubjanë, ku Instituti i tij “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizoi takimin “Ballkani Perëndimor në BE”.
Për shkak të të gjitha sfidave gjeopolitike, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme, paqja duhet të ruhet, tha ai.
“Të mos bëjmë shaka. Ne jemi përgjegjës për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e njerëzve në këtë pjesë të Evropës. Vetëm zgjerimi i Bashkimit Evropian është një garanci e qëndrueshme e paqes dhe sigurisë”, përfundoi Pahor.