Pahor në Prishtinë: Të mbahen premtimet, të hiqen vizat për Kosovën
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka qëndruar të mërkurën për vizitë në Kosovë.
Ai ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet, duke hequr vizat për Kosovën.
Pahor, në konferencën për medie, gjatë vizitës në Prishtinë, tregoi për temat që ka biseduar me liderët e rajonit.
“Siç thashë gjatë bisedës edhe me Vuçiqin, për atë që shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate t’iu mundësohen sa më shpejtë negociatat. Bosnjës t’i ofrohet statusi i kandidates dhe në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën që të plotësohen premtimet”, ka thënë ai, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Pahor, mes tjerash, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Duhet të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që t’i anashkalojmë deklaratat dhe sjelljet që prishin shkallën e besimit dhe ulin mundësinë që gjejmë një zgjidhje konkludimi më konstruktiv. Nuk bëhet fjalë vetëm për problemin mes Beogradit dhe Prishtinës, por kemi të bëjmë edhe me probleme tjera. Të them se në vitet e fundit si problem kryesor është përmendur ngecja në negociata. Por unë jam i gëzuar për një rezultat të pjesshëm të dialogut në Bruksel”, ka thënë Pahor.
Ai ka theksuar se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të implementohet. “Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte po ashtu për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, unë nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë Pahor.
Ndërkaq presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndihmën e Pahorit për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe për liberalizim e vizave.