Pajaziti: U konfirmua rruga drejt BE-së, duhet t’i kryejmë “detyrat e shtëpisë”
Komisioni Europian sot në Strasbourg ka miratuar Strategjinë e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, rekomandimet e paraqitura në këtë dokument për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe për Kosovën, nuk ishin një risi.
“Mendoj që pak a shumë ishin të pritura, edhe natyra edhe në përgjithësi dokumenti. Rekomandimet për vendet e Ballkanit Perëndimor ishin të pritura, por në përgjithësi është shumë e rëndësishme të theksohet që Kosova dhe rajoni mbeten në përcaktim në rrugën e pakthim të integrimit për BE”.
“Po ashtu, fuqishëm ritheksohen rekomandimet dhe kriteret, për ne edhe për shtetet fqinje”, ka thënë Pajziti.
Pajaziti në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ka folur edhe për atë se si përmendet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në këtë strategji.
“Është më rëndësi që rikonfirmohet që Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet që dalin nga MSA-ja, si dhe ritheksohet si e veçantë për ne dhe Serbinë çështja e dialogut. Përmendet se dialogu është një çelës për këto dy vende në rrugëtimin drejt BE-së. Shikuar historikun e relacioneve tona dhe të dialogut, edhe nga BE-ja theksohet progresi. U përmend edhe një incident në veri dhe u bë një krahasim me kohën kur ka ndodhur dhe nëse do të ndodhte më herët.U tha se liderët e dy vendeve kanë komunikuar në të mirë të tejkalimit të situatës. Tash edhe arritja e një marrëveshjeje nuk është diçka e pamundur. Meqenëse nuk përmendet se duhet të ketë njohje reciproke apo ndonjë format i caktuar i dokumentit, është me rëndësi të arrihet kjo marrëveshje”, ka thënë ai.
Por, sipas deputetit të PDK-së, Kosova mbetet një rast më unik në krahasim me vendet e tjera që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
“Rasti ynë është i veçantë nga vendet tjera, sepse përveç se duhet të përmbushim kriteret veç e veç, ne kemi edhe sfidën e mosnjohjeve nga pesë vendet e BE-së. Parashihet që kjo të ndikojë edhe në dialogun ose marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Ky realitet i ka paraprirë gjuhës në strategjinë e publikuar sot”, shtoi Pajaziti.
Megjithatë, sipas Pajazitit, më e rëndësishmja është konfirmimi dhe mbështetja e BE-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit europian.
“Mund të vërehet se deri më tash, në një farë mënyre, Kosova nuk është trajtuar plotësisht si shtet”.
“Tash Kosova do të jetë e përfshirë në të gjitha këto projekte dhe mund t’i shfrytëzojmë kapacitetet mbështetëse të BE-së”.
Deputeti i PDK-së ka deklaruar po ashtu se në këtë strategji përpos që është konfirmuar mbështetja për Kosovën në këtë rrugëtim, kërkohet edhe përmbushja e kritereve.
“Është konfirmuar rruga drejt BE-së dhe vendosmëria e BE-së që duhet t’i përmbushim kriteret, nuk ka alternativë përpos kryerjes së detyrave të shtëpisë”.
“Unë jam ithtar që të adresohen përgjegjësitë për secilin – agjencionet, institucionet ose individët, pra që të dihet kush ka bërë progres e kush jo”.
“Nuk mund të etiketohet një agjencion në bazë të një rezultati negativ, ose në saje të një pjesë të një agjencioni, nëse pjesa tjetër ka pasur sukses”.
“Sa më shumë që saktë t’i adresojmë, të fokusohemi dhe të ngritet presion publik, mendoj se do të kemi rezultate”.