‘Pajisje shpërthyese’ u dërguan në adresë të Clintonit dhe Obamës
Shërbimi sekret i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka bërë me dije se ka kapur “pajisje që me gjasë janë shpërthyese” të dërguara në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Një zyrtar amerikan i ka thënë “Asociated Press” se hetuesit besojnë se pakot e dyshimta që janë gjetur, janë të ndërlidhura me një pako tjetër të dyshimtë që e kanë gjetur në shtëpinë e filantropit George Soros më 22 tetor.
“Shërbimi sekret amerikan ka kapur dy pako të dyshimta që ishin dërguar ndaj personave që mbrohen nga shërbimet sekrete”, është thënë në deklaratën e Shërbimit sekret amerikan .
Po ashtu në këtë deklaratë është thënë se kanë gjetur “një pako që ishte dërguar te ish-zonja e parë, Hillary Clinton në Uestçester, Nju Jork”.
Clinton është e martuar me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.
“Në mëngjesin e sotëm, një pako e dytë është dërguar në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe është kapur nga personeli i shërbimeve sekrete në Uashington”, është thënë në këtë deklaratë, raporton “Rel”.
Pakot e dyshimta janë “identifikuar menjëherë”, pas skanimit të dërgesave dhe është thënë se janë “me gjasë janë pajisje shpërthyese”. Megjithatë, pakot e dyshimta asnjëherë nuk kanë arritur në destinacionin e caktuar, pasi shërbimi sekret ka arritur që t’i identifikojnë me kohë, ka njoftuar shërbimi sekret.
Lidhur me këtë rast ka nisur një hetim.
Shtëpia e Bardhë ka theksuar se presidenti Donald Trump është njoftuar për situatën dhe se ai e ka marrë “shumë seriozisht” trajtimin e kësaj çështjeje.