Pajtimi i gjaqeve bashkoi popullin për luftë çlirimtare
Më 2 shkurt bëhen 30 vjet të Lëvizjes së Pajtimit tëGjaqeve në Kosovë 1990-1991.
Në 30-vjetorin e Lëvizjes sëPajtimit të Gjaqeve në Kosovë, pesë nismëtarët e saj kanë folur për rolin që ka luajtur ajo në zhvillimet e mëtejme historike, me theks të veçantë nëparapërgatitjen për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Myrvete Dreshaj-Baliu, Have Shala-Gërguri, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në aspektin human, nisma për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave e kishte arritur qëllimin, duke i dhënë fund gjakmarrjes dhe duke i liruar nga burgu shtëpiakë mijëra persona. Ndërkaq, në aspektin politik kombëtar, Lëvizja e Pajtimit te Gjaqeve, sipas tyre, arriti ta bashkojë popullin shqiptar dhe të përgatisë për luftë çlirimtare.
Myrvete Dreshaj-Baliu: Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, ndër lëvizjet më unike në historinë kombëtare
Myrvete Dreshaj-Baliu, një nga pesë nismëtarët e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, ka deklaruar se Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve është ndër lëvizjet më unike në historinë kombëtare. Ajo në këtë 30 vjetor ka theksuar se edhe në rrethana të sotme popullit tonë do t’i duhej shumëçka nga kjo frymë dhe në mënyrë të veçantë do t’i duhej skenës sonë politike. “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve është ndër lëvizjet më unike në historinë kombëtare. Edhe sot, pas tridhjetë vjetësh, LPGjmbetet fryma më unifikuese e zhvillimeve tona historike. Sigurisht, edhe në rrethana të sotme, popullit tonë do t’i duhej shumëçka nga kjo frymë, dhe në mënyrë të veçantë do t’i duhej skenës sonë politike.Kemi nevojë edhe një herë si komb ta kujtojmë Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve gjatë viteve të veçanta 1990-1991 dhe masivizimin e homogjenitetin e saj më të fuqishëm nacional, të realizuar ndonjëherë në lëvizjet tona për liri e bashkim kombëtar, madje jo vetëm në Kosovë dhe në viset shqiptare nën ish-Jugosllavi, por edhe në diasporë. Misioni i saj, sa human aq edhe atdhetar e politik, i cili na udhëhoqi para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ishte mirë të na udhëhiqte edhe në perspektivën tonë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe raporteve tona brendashqiptare”, ka thënë Myrvete Dreshaj-Baliu.
Have Shala-Gërguri: Falja e gjaqeve, shkallë e re e vetëdijes së popullit shqiptar
Have Shala-Gërguri ka treguar për gazetën se si kishte filluar kjo lëvizje. Ajo ka thënë se falja e gjaqeve ishte shkallë e re e vetëdijes së popullit shqiptar. “Kishte kaluar një vit nga lirimi im nga burgu, ku kisha qëndruar për katër vjet me radhë për shkak të angazhimit tim për të drejta dhe liri kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavinë̈ e atëhershme. Ishte koha e suspendimit të autonomisë̈ së Kosovës, koha e kufizimit maksimal edhe e atyre pak të drejtave dhe lirive që kishim ne si shqiptarë. Në Kosovë protestohej atëherë vazhdimisht për të drejta dhe liri. Pjesë e atyre protestave patjetër se isha edhe unë. Protestat shtypeshin me gjak. Pushteti vriste, plagoste e rrihte demonstrues paqësorë dhe, ndër të tjera, edhe gjakmarrjen kishte alibi. ‘Pushteti nuk po vret, por shqiptarët e rënë në gjak po vriten mes vete’, ishte arsyetimi i njërit nga zyrtarët e lartë të këtij pushteti në ditën kur në Pejë u vra Fatmir Uka, i mitur, dhe disa të rinj të tjerë demonstrues në Pejë e në vende të tjera të Kosovës”, ka thënë Shala-Gërguri, duke shtuar se kjo ka nxitur nismën për pajtim të gjaqeve. “Ne nuk mund të qëndronim indiferentë përballë këtij cinizmi kaq të pacipë. Kësaj djallëzie të pushtetit duhej kundërvënë. Kjo ishte një kërkesë e pakontestueshme në qenien tonë. Dhe nisma mori rrugë. E bëmë hapin e vendimtar: u mblodhëm ne të gatshmit për të vepruar. I caktuam rastet ku duhej intervenuar. Filluam me marrjen besë në fshatin Lumbardh, me pajtimin e hasmërisë në Raushiq, me faljen e gjakut në Berliq. Aty gjakmarrjes iu vu guri i varrit. Gjakmarrja aty s’mund të shkruante më epitaf. Pastaj rasti i katërt, pastaj rasti tjetër… pastaj vullneti i një populli të vetëdijesuar për t’i thënë jo gjakmarrjes, jo krenarisë vrastare, jo vargonjve të pakuptimit”, është shprehur ajo.
Më tej, ajo ka vlerësuar se ky aksion e ka mësuar se kur fillon një dialog shoqëror, kur në të përfshihet një shumicë, kur të vuajturve u dëgjohen vuajtjet dhe shprehet bashkëdhembje, mund të lëvizet shumë përpara. “Perceptimi shoqëror për familjen që falë është sot dukshëm më pozitiv se ç’ka qenë para Aksionit për Pajtim. Individi që vret nuk konsiderohet më as guximtar, as nuk është i nderuar në shoqëri. Ky është një ndryshim i rëndësishëm kualitativ, që flet për atë se gjakmarrja si koncept ka filluar të hiqet nga të menduarit tonë. Porosia e këtij Aksioni edhe sot e kësaj dite është që drejtësia nuk guxon – duke heshtur dhe duke neglizhuar – të krijojë hapësirë që individë të përfshirë në konteste të ndryshme ta marrin vetë ligjin në dorë”, ka deklaruar ajo.
Adem Grabovci: Përveç pajtimit, qëllimi ishte ta bashkojmë popullin për luftë
Edhe nismëtari tjetër i aksionit për pajtimin e gjaqeve, Adem Grabovci, ka treguar se, përveç pajtimit, kjo nismë kishte për qëllim bashkimin e popullit dhe përgatitjen e tij për luftë çlirimtare. “Para 30 vjetëve kemi pasur një realitet krejt tjetër në Kosovë, shqiptarët shprehnin pakënaqësitë ndaj regjimit përmes protestave dhe formave të ndryshme. Për ta mbajtur gjallë atëaktivitet duhet të ndërmerrnim diçka. Ishim të vetëdijshëm se ai aktivitet nuk mund të mbahet gjallë vetëm me demonstrata. Në këtë mënyrë e kemi menduar idenë e fillimit, pajtimit të gjaqeve. Qëllimi i kësaj lëvizje nuk ka qenë vetëm pajtimi i gjaqeve, pokishim për qëllim të depërtojmë në masë dhe të krijojmë një front të bashkuar në popull. Dëshironim ta përgatisnim popullin për luftë të armatosur, sepse e kishim të qartë se ishin konsumuar të gjitha mjetet e tjera paqësore për arritjen e qëllimeve tona”, ka thënë Grabovci. “Me lëvizjen tonë ne kemi arritur dy qëllime. Së pari e kemi luftuar një të keqe e cila kishtesjell pasoja shumë të mëdha për popullin e Kosovës. Dhe, së dyti, arritëm të krijojmë një front të përbashkët, një unifikim të popullit, duke e përgatitur për proceset e mëvonshme. Këtë sukses e kemi arritur për një kohëtë shkurtër, sepse qëllimi ynë ka qenë tepër fisnik dhe i sinqertë”, është shprehur ai.
Më tej, Grabovci ka treguar se që në fillim të aksionit i kishin ndarë detyra se kush duhet të takohej me intelektualë e kush me qytetarë. Ai ka thënë se gjatë javës grupet e punës identifikonin rastet duke biseduar me ato familje, kurse të shtunave dhe dielave kanë bërë pajtimin e familjarëve, ku iu bashkoheshin profesorëtdhe intelektualët e ndryshëm. “Kemi pasur rast që kur kemi shkuar ta kërkojmë faljen e gjakut, ka ndodhur qënë fillin na i kanë falur plumbat e armës të cilët i kanëruajtur për ta marrë gjakun, pastaj na e kanë shtrirëdorën e pajtimit për ta falur gjakun. Ato kanë qenëçaste jashtëzakonisht emocionuese për ne. Kemi rast qëkanë shkuar grupe të ndryshme të njerëzve për t’i pajtuar, por nuk kanë arritur t’i pajtojnë. Ndërsa, neve na ka kanë pritur krahëhapur. Më kujtohet një loke nëLug të Baranit kur na ka thënë: Ejani pëllumbat e nanës, se juve jam duke ju pritur”, ka thënë Grabovci.
Brahim Dreshaj: Aksioni i pajtimit e bashkoi popullin
Edhe nismëtari tjetër i aksionit, Brahim Dreshaj, ka folur për rëndësinë e aksionit në ngritjen e vetëdijeskombëtare. Ai ka thënë për gazetën se ky aksion e bashkoi popullin e Kosovës. “Rëndësia e kësaj lëvizje ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Sepse shqiptarët në atë kohë, siç e dimë të gjithë, ishin të robëruar dhe para se të futemi në luftë për çlirimin e Kosovës, është dashur të ndodhë një pajtim dhe bashkim i popullit. Në atë bashkim është dashur të marrim pjesë të gjithë, nëtë kundërtën suksesi mund të ishte jo i plotë. Ky pajtim e ka bashkuar popullin, sepse kemi rreth 2 000 raste të familjeve që janë pajtuar, duke falur gjaqe, plagë dhe ngatërresa. Pra, rëndësia e lëvizjes për pajtim ka qenë e madhe, sepse kemi arritur ta unifikojmë popullin dhe ta përgatisim që të futemi në luftë të bashkuar, pa hasmërimes vete dhe drojë nga hakmarrja”, ka thënë Dreshaj.
Më pas, ai ka treguar se shumë bashkëveprimtarë të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve kanë marrë pjesë aktivisht në luftë apo kanë qenë përkrahës të saj në forma direkte. “Në të njëjtën kohë pjesë dërrmuese e asaj lëvizje, përfshirë një pjesë të madhe të atyre qështrinë dorën e pajtimit, kanë marrë aktivisht pjesë në luftën çlirimtare. Disa bashkëveprimtarë të aksionit kanë rënë edhe dëshmorë, siç është rasti me Meh Ukën, si dhe Xhemajl Fetahaj, i cili është vrarë me pushkë nëdorë”, ka thënë Dreshaj.
Lulëzim Etemaj: Ndjenja e krenarisë sot, si para 30 vjetësh
Lulëzim Etemaj ka thënë se Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve, në planin personal, e sheh me shumë emocion. “Ndjenja e krenarisë, me bashkënismëtarët e pajtimit të gjaqeve, e falënderimit dhe mirënjohjes për të gjithë ata që e shtrinë dorën e pajtimit, nuk është zbehur për asnjë çast gjatë këtyre 30 vjetëve. E tillë është edhe në këtë 30-vjetor”, është shprehur ai.
Etemaj ka thënë se Kosova do të çlirohej gjithsesi edhe pa pajtimin e gjaqeve në vitet 1990-1991, por ka vlerësuar se pa atë pajtim, bashkim dhe solidaritet shqiptar, edhe formimi i UÇK-së, si faktori kryesor i çlirimit të Kosovës, çmimi i lirisë, do të ishte tepër më i lartë. “Po ashtu, llogaris që pa pajtimin e gjaqeve dhe luftën çlirimtare do të ishte shumë e diskutueshme se vërtet në këtë 30–vjetor Kosova do të ishte shtet i pavarur e sovran, që pas vetes ka 11 vjet!”, ka deklaruar Etemaj.
/Epoka e re/