PAJTIMTARËT

17 dhjetor 2017 | 12:16

Shkruan: Prof. Nexhat Mustafë Ballanca-Dibra

Me rastin e 55-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të poetit, prozatorit, romansierit, publicistit, kronikut mr. Behram Hotit (6)

(Behram Hoti, Kryengritja shqiptare 1981, gazeta “Epoka e re”, Prishtinë, 17 mars 2011, f. 18-19)

Dihet se këto demonstrata ishin në vazhdën e atyre të mëparshmëve. U printe flamuri kombëtar dhe si hije fytyra e Fazli Grajçevcit dhe ajo e Adem Demaçit. Kërkesat studentore evoluan në Republikë, Kushtetutë për Kosovën! Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë! Dhe dolën edhe parullat ekonomike: “Trepça punon, Beogradi ndërton!” “Kosova shfrytëzohet, Serbia ndërtohet!” Po parulla kryesore, të cilën e mësoi dhe e pëshpëriste edhe në gjumë i tërë populli, bile edhe fëmijët në djep, ishte “Kosova Republikë!”

Studentët filluan rebelimin dhe kacafytjen me policët. Për t’i shtypë ato erdhi njësia e policisë, ajo e policisë speciale nga Beogradi, për intervenime të shpejta dhe brutale (që asokohe ishte e ushtruar në Turqi). Erdhën dhe tanket nga Maqedonia. Po masa rritej. Studentëve u erdhën në ndihmë punëtorët, nxënësit, arsimtarët e profesorët, qytetarë nga tërë Kosova dhe viset shqiptare të ish Jugosllavisë. Pasuan brutalitete të papara; dhunë e maltretime, rrahje, plagosje e vrasje nga ana e ushtruesve të dhunës.

Fëmijët e vet të dashur, populli i dërgonte me makinat e veta në spital. Ishte bukuri e paparë, në këtë dhimbje tragjike, të shohësh me mijëra infermiere mantelbardha që si fluturat shkonin nga një i plagosur tek tjetri. Jepnin, së bashku me mjekët, ndihmën e tyre. Por kishte edhe të tillë, si kirurgu shovinist serb Bora Motaçiq, që studentëve të shtrirë për ndihmë mjekësore, ua priste gishtat!

Fëmijët u sillnin demonstruesve që për t’ua shëruar sytë e tyre nga bombat e tymit, bukë e ujë. Tymi e kishte mbuluar Prishtinën. Po edhe nata binte ngadalë mbi qytet e lagjet e qytetit hapën dyert e shtëpive të pranojnë brenda fëmijët e tyre që natën të mos e kalojnë në rrugë.

Është ky është një shkrim i bukur me një galeri të tërë personazhesh. Të gdhendura, mbase ndonjëherë shpejt e shpejt. Por tek të gjithë autori kishte vënë mbi jetën e gjakun e tyre lirinë e pavarësinë e Kosovës. E nga ana tjetër dalin ka dhënë edhe bishat serbosllave, që e pengonin me shufra gome, armë të lehta dhe të rënda policore e ushtarako këmbësore.

Disa punime letrare

Në fillim duhet përmendur proza e bukur poetike Llausha në ditët e majit 1998 në të cilën poeti, në këtë rast prozatori Behram Hoti, me ndjenjë të jashtëzakonshme të shpirtit të tij të dhimbshëm, shkruan për ditët e muajit maj të vitit 1998, ku popullata e Llaushës së Drenicës përjeton ditë të dhimbshme. Ata (e bashkë me ta edhe autori Behram Hoti) ecin nëpër borë e ngrica, nën predhat e plumbave, gjyleve dhe granatave, largohen përkohësisht dhe se do të kthejnë sërish në vatrat e tyre. E djemtë e burrat e Llaushës e të katundeve të tjera të Drenicës ia kanë dhënë besën trollit se atë s’do ta marrë kurrsesi Serbia. Dhe e mbrojtën, e çliruan me gjak dëshmorësh!

Në Rilindjen e datës 30 janar 1982 Behram Hoti boton tregimin “Shtatë rrëfime në një”. Janë këto shtatë minitregime, apo si thotë vetë autori, rrëfime. Të bukura dhe interesante, të thëna me pak fjalë.
Autori e ka botuar një tregim interesant në gazetën Rilindja me titull Shiu mund të jetë i kripur. Është ky tregim në vetën e parë ku kryepersonazh është çobani (apo vetë autori) me janxhik në krah (i punuar nga lëkura e dhisë). E tërë pasuria e tij ishte janxhiku, të cilin e ruante si sytë e ballit se mos griset apo mos formohen vrima në të. E në janxhik e kishte po tjetrën pasuri të veten: një topth kripe të cilin kohë pas kohe e lëpinte. Ai në meditim thotë se mbase këtë topth e kanë mbajtur edhe kurbetqarët. Shkaku i këtij topthi është që as fëmijët e tij e as nipërit e mbesat, nuk i vinin (në vizita). Mbase nga era që mbante janxhiku me kripën në të.

Tubimet e shqiptarëve anekënd botës, për të shprehë solidarizim, përkrahje dhe kërkesë, që Kosova të bëhet shtet i pavarur (veçmas nga Serbia) u bënë material e brumë për një shkrim të shkurtër por të bukur të Behram Hotit.
Ngjarja zhvillohet tek Livadhi i shqipeve në Gjenevë, siç e ka emërtuar vetë autori, apo shqiptarët (Kushtrimi 22-vjeçar), pjesëmarrës në tubimet marshuese dhjetëvjeçare. Është kjo në hapësirë para Pallatit të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ndër kohë e mote kanë protestuar protestues nga lloj-lloj kombe e popuj për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre, politike e njerëzore kombëtare.

Tash ky vend u përkiste shqiptarëve. Aty ata me mburrje, krenari e kokëlartë kërkonin të drejtën e tyre elementare – lirinë.
Sa kishin ngritë krye lartë lisat tash po aq lartë ngrinin kokën plisat, të bardhë dhe të bukur shqiptarë. Jemi në udhë, thotë shkrimtari. Po, shqiptarët asokohe ishin në udhë për të kërkuar përkrahje për të çliruar pjesën e atdheut të uzurpuar, të shkelur e të robëruar nga serbosllavët. “Në Gjenevë ka shumë udhë”, thotë autori.
Secila është për njerëz. “Në këto udhë po ecën popull im”, shprehet sërish autori. “Kësaj radhe në këto udhë shoh edhe djepa që i përkundin nënat në Livadhin e shqipeve”, vazhdon autori.

Me këtë autori ka dashur të tregojë se për kërkimin e të drejtave për liri kanë dalë edhe nënat shqiptare me djep ndër duar. E krahas lisave e plisave në Livadhin e shqipeve lartësonte flamuri kombëtar shqiptar, kuq e zi, me shqiponjën e zezë
dykrenare në fushën e kuqe (të përgjakur ndër shekuj).

Pason një shkrim i bukur proze të shkurtër me emrin Nëna, poeti dhe rapsodi.  Së pari, edhe në formën e një hyrjeje, autori jep pamjen e vrazhdët të vrasësit, dorasit. Ai për ta kryer vrasjen kishte ardhur e kishte zënë pritë në të aguar të ditës, ditë e cila mbase rastësisht, ishte me plot mjegull. Kështu si dhelpër afrohej barkas (zhagë) për të kryer vrasjen.

E mjegulla ishte aleat i tij ngase ia mbulonte gjurmët, e mbulonte krijesën vrastare. Pjesa e dytë e shkrimit flet për dëshirën e djalit që, duke lutur nënën, t’ia falin gjakun dorasit, ngase Kosova po i fal gjaqet, nënë. “Nënë, ty të patëm edhe nënë edhe baba”. E ajo, nënë kreshnike shqiptare, si burrëreshë që ishte, këtë krenari të faljes së gjakut ua la djemve të vet: “Bijtë e mi, unë jam vetëm një grua fisi dhe nuk mund ta fal gjakun e burrit, po kjo u ka hije kunetërve dhe bijve të mi…!”, tha ajo.
Dhe djemtë, që ishin pjesa më e shëndoshë e kombit shqiptar, falën gjakun! Gjatë faljes së gjakut, në Palluzhë, qëndronte pranë nëna.

Poeti dhe rapsodi

Po dridhet bjeshka n’Kull t’Flamurit
Po shtrin’dorën vëllau – vëllaut
Po dridhet mali po dridhet vërria
Në barkun e nënës po gëzohet f’mia
Kush na hyn me sherr n’oborr
Nuk i lamë as vend për vorr
Qëndresa jonë – guri për gur
Besa jonë – Besa mbi Flamur

Duke lexuar veprën voluminoze kapitale të historisë së re të Kosovës: “Moti i madh i Kosovës – 1990” (Pajtimi i Gjaqeve), autori profesor Behram Hoti shkruan: Intelektualët e Kosovës nuk kursyen as pozitën materiale, familjare, as pozitën shëndetësore, fizike të tyre. Ata, si shumë të tjerë: profesor dr. Mujë Rugova, shkatërroj veturën e tij gjermane ‘Opel Kadet’ duke vrapuar ditë e natë në trevat shqiptare për pajtimin e gjaqeve. Pastaj, prof dr Muhamet Pirraku, shiti lopën me gjithë viç për harxhime, derivate të veturave të profesorëve.

Muhamet Pirraku asokohe nuk dispononte veturë. Gjithashtu, hoxha Mulla Idriz Kakrruki shkatërroj veturën e tij personale…Po në këtë vepër profesor Hoti shkruan: “pajtimtarët janë njerëz të devotshëm, por ata dhe ato që falin gjaqe të më të dashurve të familjeve të tyre janë njerëz të shenjtë. Do të vijë koha, që historia kombëtare shqiptare do t’i shpall dëshmor…
Pasi që e përmenda fjalën dëshmor, në vitin 1990-1992, pajtimtar të devotshëm ishin Shaban Jashari, me dy djemtë, Hamzen dhe Ademin; pajtimtar i devotshëm ishte Zahir Pajazit, Ilir Konoshefci, Jashar Saliu (nga Batusha e Junikut), Xhevat Berisha, Remzi Ademaj (nga Zhuri i Prizrenit), dr. Hafir Shala, dr. Lec Gradica, prof. dr. Idriz Barani e shumë të tjerë, të gjithë nga Drenica. Pastaj, profesor Latif Berisha, prof. dr. Bardhyl Çaushi e shumë profesor të tjerë… Ndër profesorët e gjallë, profesor Zymer Neziri me gjeneratën e tij, Mullah Fetah Bekolli, Mulla Xhevat Kryeziu, Mulla Ali Vermica, Don Lush Gjergji, prof. dr. Marian Demaj e qindra të tjerë edhe sot e kësaj dite dhanë kontributin e tyre në misionin e pajtimit të familjeve në bela. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, Hydajet Hyseni…