PAJTIMTARËT ÇLIRIMTARË

27 qershor 2022 | 12:05

Nga: Ragip Shala, ish-koordinator i Këshillit të Pajtimit në Malishevë

Reagim ndaj librit të Habib Zogajt: Kuvendi i Bubavecit 26 prill 1990 Këshilli i Pajtimit në Malishevë, është bërë temë e shumë shkrimeve, intervistave, fejtoneve dhe librave nga autorë të shumtë, të cilët kanë trajtuar veprimtarinë pajtuese në Komunë të Malishevës.

Së fundmi edhe Habib Zogaj ka botuar librin Kuvendi i Bubavecit 26 prill 1990, me recensent dr. Mehmet Rukiqin, këshillë redaktues: Fetah Bekollin, Jonuz Mazrekun dhe konsulent Xhevat Kryeziun.

Ndonëse libri titullohet: Kuvendi i Bubavecit, përmbajtja e librit dominon në personifikimin e Mullah Xhevat Kryeziut. Personazhet e shumtë: historian, filolog, profesorë dhe klerikë fetarë në rrëfimet e tyre bëjnë gara mes veti se kush do ta glorifikoi më shumë Mulla Xhevat Kryeziun. Habib Zogaj, në librin e tij Kuvendi i Bubavecit duke glorifikuar Mullah Xhevatin, stigmatizon tërësisht Këshillin e Pajtimit, veprimtarinë pajtuese të këshillit, si dhe pajtimtarët e sajë?!.

Glorifikimi si një formë e idhujtarisë, gjegjësisht Shirku, sipas normave kuranore a nuk përbënë mëkat të pafalshëm?! Për këtë Shirk, mëkat mbase duhet kërkuar përgjigje Mullah Xhevatit dhe hoxhë Fetah Bekollit si personazhe të librit, konsulent dhe këshill redaktues. Librin Kuvendi i Bubavecit 26 prill 1990, e përbëjnë dy error: Error in objecta dhe in subjecta. Errorët e Habib Zogajt në librin e tij kanë të bëjnë me disa çështje kyçe të cilat janë: a) Këshilli i Pajtimit në Malishevë; b) Data e themelimit; c) Themeluesit e Këshillit; d) Kuvendi i Bubavecit; e) Rroli i Mullah Xhevat Kryeziut në pajtime

Këshilli i Pajtimit në Malishevë

Ky këshill shquhet me disa karakteristika tejet të veçanta: a) Është i dyti këshill i formuar në nivel Kosovës. b) Gjatë tërë veprimtarisë, këshilli ka funksionuar pa kryetar, por vetëm me tre koordinatorë: Asllan Kastratin, Shemsi Mazrekun dhe Ragip Shalën. c) Të gjitha pajtimet janë realizuar me forca vetanake, pa kërkuar “hua” nga kuadrat e Këshillit Qendror të Prishtinës. d) Këshilli i Pajtimit në Malishevë ka qenë çerdhe për zanafillën e UÇK-së, sepse janë pajtimtarët e këshillit që kanë themeluar celulat e para të UÇK-së në rajonin e Malishevës dhe më gjerë. e) Shumica e pajtimtarëve, pastaj janë rreshtuar në efektivat luftarake të UÇK-së. f) Gjatë luftës kanë rënë dëshmorë dy pajtimtarë: Ibrahim Mazreku dhe Hamdi Berisha.

Veprimtaria e pajtimeve është zhvilluar me disa etapa në bazë të rrethanave socio-psikologjike të familjeve që u kërkohej pajtimi.

Etapat e pajtimeve

1) Identifikimi: në këtë etapë janë mbledhur shënime fshat për fshat, janë identifikuar familje që do t’u kërkohej pajtimi për gjaqe, plagë dhe ngatërresa. 2) Parapërgatitja: në këtë etapë janë vizitat e pajtimtarëve në familje që do t’u kërkohej pajtimi, prezantimi, shpalosja e qëllimeve të pajtimeve në emër të popullit, sakrificave të rinisë. 3) Pajtimet: pas dy etapave, të parës dhe të dytës kanë pasuar pajtimet në hapësira të mbyllura – oda, dhe hapësira të hapura – në fushë, ku veçohet pajtimi në rrafshnaltën e Guncatit dhe në Carralukë. Etapa e parë dhe dytë janë realizuar brenda tre javësh, gjatë shkurtit dhe fillim marsit, kurse etapa e tretë gjatë muajve mars, prill dhe maj. Këshilli i Pajtimit ka arritur t’i pajtoi 46 gjaqe, 11 plagë, dhe 55 ngatërresa në rajon të Malishevës, dhe ka kontribuar në formimin e Këshillit në Klinë, konkretisht në fshatin Gllarevë më 18 mars 1990. Me kërkesë të Këshillit Qendror të Prishtinës, Ragip Shala është angazhuar në disa pajtime në Komunë të Prishtinës, Vitisë dhe Lipjanit. Veprimtaria e pajtimeve ka kulmuar me organizimin e tubimit të Bubavecit më 26 prill 1990 ku morën pjesë mëse 100 mijë qytetarë nga Kosova dhe më gjerë. Pajtimtarët çlirimtarë, me veprimtarinë pajtimtarë arritën të çlironin plotë familje prej ngujimit të normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që pastaj u hapën shtigje çlirimtare edhe kundër ngujimit nga okupimi serb që u finalizua me luftën çlirimtare të UÇK-së.

Data e themelimit

Errori kryesor në librin Kuvendi i Bubavecit ka të bëjë me datën e themelimit të Këshillit të Pajtimit në Malishevë. Disa nga protagonistët e librit na tregojnë se Këshilli i Pajtimit në Malishevë na qenkësh formuar më 18.03.1990, kurse disa të tjerë më 17.03.1990. Ngatërrimi i datave të personazheve prishtinas pavarësisht lajthitjeve të tyre, mbase mund të arsyetohen, por si të arsyetohen personazhet malishevas dhe autori i librit?!

Kur nuk e dinë malishevasit datën e saktë të themelimit të Këshillit të Pajtimit si mund ta dinin prishtinasit?! Këshilli i Pajtimit në Malishevë është një ndër këshillat më të para në Kosovë, është themeluar më 16.02.1990.

Themeluesit e Këshillit

Tjetër error në librin e Habib Zogajt ‘Kuvendi i Bubavecit 26 prill 1990’ ka të bëjë me Themeluesit e Këshillit të pajtimit në Malishevë.

Në libër paraqitën plotë emra themeluesish në krye me Mullah Xhevatin, por që asnjëri nga ata nuk jenë protagonist të themelimit. As Cen Desku, as Mulla Xhevat Kryeziu as Januz Mazreku, as Sherif Tafili as Fetah Bekolli, etj. nuk janë themelues të Këshillit të Pajtimit në Malishevë.

Megjithë respektin ndaj këtyre, por e vërteta është se këta duhet të jenë angazhuar pas një muaji pasi është themeluar Këshilli. Këshilli i Pajtimit në Malishevë është themeluar nga Kuvendi i 65 përfaqësuesve të fshatrave dhe qytezës së Malishevës më 16.02.1990.

Pas shumë debateve të ndryshme në funksion të qëllimit, Kuvendi ka zgjedhur Këshillin me këta pajtimtarë: Asllan Kastrati, Avdyl Berisha, Bashkim Krasniqi, Enver Mazreku, Enver Haklaj, Fatmir Limaj, Feriz Hoti, Maliq Kryeziu, Malësore Zogaj, Hamdi Berisha, Hasime Mazreku, Ibrahim Mazreku, Kumrije Bashota, Valbona Krasniqi, Gjyle Krasniqi, Sylejman Mazreku, Shemsi Mzreku, Xhevdet Mazreku, Xhevdet Kastrati, Ramadan Sopaj, Ramë Bashota, Ramadan Mazreku, Ragip Shala. Pastaj Këshillin e kanë mbështetur, me veprimtarinë pajtimtare kohë pas kohe edhe kryefamiljar që shtrinë dorën e pajtimit: Haki Gashi, Miftar Kastrati, Nuhi Mazreku, Rexhep Krasniqi, Zoja Bytyqi etj.

Angazhimi i këtyre ka qenë një forcë shtytëse që t’i bindnim kryefamiljarët tjerë për t’u pajtuar. Në libër figuron edhe emri i Isni Kilajt për kontributin e tij dhënë veprimtarisë së pajtimeve, si dhe disa administratorëve komunal.

Me gjithë respektin, por Isni Kilaj fare nuk është angazhuar në këtë çështje, jo pse nuk ka dashur, por mbase nuk ka pasur kohë, meqë ka qenë i zënë me konvertimin e LKJ-së dhe LRS-së në LDK?!

“Kuvendi” i Bubavecit

Para se të falej Bajrami në xhaminë e Bubavecit, Këshilli i Pajtimit ka arritur t’i realizojë shumë pajtime në rajon të Malishevës, krejt në emër të kauzës kombëtare, dhe asnjë në emër të besimit fetar. Ideja për të mbajtur tubim në ditën e faljes së Bajramit ka nxitur debate ndër pajtimtarë malishevas. Në një takim të koordinatorëve: Asllan Kastrati, Shemsi Mazreku dhe Ragip Shala me pajtimtarë gjatë debatit është shfaqur hezitim nëse tubimi mundë të merrte tipare fetar në Xhaminë e Bubavecit. Meqë veprimtaria pajtimtare në Malishevë nuk pasqyrohej fare në mjetet e komunikimit masivë, prandaj është rënë dakord nga shumica për mbajtjen e tubimit në ditën e faljes së Bajramit, në mënyrë që t’i bënte jehonë pajtimeve të mëhershme dhe atyre që do të pasonin.

Pajtimi unanim për tubim të Bubavecit duhet të jetë marrë më 22.04.1990, dhe secili pajtimtarë është mobilizuar, sidomos pajtimtarët bubavecas: Ramë Bashota, Kumrije Bashota, Ibrahim Kryeziu, Mulla Xhevati etj. për mbarëvajtje sa më të suksesshëm të tubimit. Natyrisht të gjithë pajtimtarët janë pajtuar që referatin ta lexonte Mullah Xhevati në cilësinë pajtimtarit dhe imam i xhamisë.

Në kaptinën Kuvendi i Bubavecit (shkëlqimi dhe efektet), Habib Zogaj tërthurohet në errorë që kanë të bëjnë me dy çështje: a) Emërtimi Kuvendi i Bubavecit. b) Pajtimi i “24 gjaqeve, dhe shumë plagëve dhe ngatërresave”?!. Tubimi i Bubavecit nuk ishte Kuvend, ishte tubim që ligjëruan dy klerikë, njëri i besimit mysliman dhe tjetri i besimit katolikë, dhe aty nuk kishte debate për të “pleqnuar” çështje të ndryshme në lidhje me pajtimet, metodat e veprimit, qëllimet e pajtimeve etj. Sikur të kishte pasur debate, atëherë ka kuptim logjikë të emërtohej Kuvend prandaj… Arritja e pajtimeve nuk ka qenë punë e lehtë, prandaj ka kaluar nëpër tre etapa, që secila etapë ka konsumuar kohë dhe mund të secilit pajtimtarë për t’i arritur realizimet e pajtimeve. Kurse Habib Zogaj aq lehtë na i paraqet realizimet e pajtimeve sa që për një ditë na qenkëshin falur 24 gjaqe, dhe shumë plagë e ngatërresa ?!. Këtë error e shfaqë në librin e tij duke shtjelluar një çështje që ka qenë e pamundur. Ai shkruan: “Pajtimtarët kishin bërë punën e tyre, kishin bindur shumë familje që të shtrijnë dorën e pajtimit pikërisht në festën e Bajramit”?! Si ishte e mundur që pajtimtarët për vetëm 4 ditë (22.04. – 26.04 . 1990) të arrinin t’i bindnin familjarët që “pikërisht në festën e Bajramit” të falnin gjaqet, plagët dhe ngatërresat?! Kush shkoi te kush? Pajtimtarët shkuan te familjarët që u kërkohej pajtimi, apo familjarët prisnin në radhë para selisë së pajtimit për të dhënë pëlqimin për pajtime?!

Rroli i Mulla Xhevat Kryeziut në pajtime

Në mbarëvajtjen e pajtimeve në një takim të koordinatorëve me pajtimtarë është diskutuar çështja e angazhimit të personave me profesione të ndryshme, sidomos ndonjë personi që posedonte veturë, si dhe ndonjë klerik fetar, meqë po afronte muaji i Ramazanit. Sylejman Mazreku e mori për detyrë që të rekrutonte persona që posedonin vetura, dhe pas ca ditë do të na afroheshin disa, dhe njëri ndër më të zellshmit ishte Januz Mzreku, i cili pastaj nuk na është ndarë gjatë tërë veprimtarisë së pajtimeve. Kurse në çështjen e angazhimit të ndonjë kleriku fetar, janë propozuar disa hoxhallarë, por Këshilli është përcaktuar për Mullah Xhevat Kryeziun për shkak të moshës, ishte më i ri, përafrimit me moshën e shumicës së pajtimtarëve. Mullah Xhevati duhet të këtë filluar veprimtarinë pajtuese diku më 30 mars 1990, tani më, kur Këshilli i kishte arritur t’i realizonte plotë pajtime në rajon të Malishevës. Rroli i Mullah Xhevatit në pajtime s’kishte pse të dominonte ndaj pajtimtarëve tjerë, sepse deri atëherë, ai nuk është shquar për ndonjë veprimtari pajtuese, pos për veprimtari fetare në xhaminë e Bubavecit. Kurse sa i përket tubimit të Bubavecit më 26 prill1990, tubimi nuk ishte përgjegjësi vetëm i Mulla Xhevatit, por i tërë Këshillit të pajtimit. Glorifikimi që i bëhet Mullah Xhevatit, duke stigmatizuar Këshillin e Pajtimit nuk i bënë nder as kujt, as atyre që shtrinë dorën e pajtimit, as pajtimtarëve, as vetë Mulla Xhevatit…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi kampion i Kosovës,  Ballkani ka hyrë në lojë për…