Pajtohen për bashkëpunim në të mirë të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së
Komiteti për Familje të Dëshmorëve, Invalidë, Veteranë të Luftës së UÇK-së si dhe Martirë të Luftës, nën udhëheqjen e kryetares së këtij Komiteti, Vlorë Manaj-Krasniqi, kanë vizituar shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Komunën e Malishevës.
Manaj-Krasniqi është zotuar se do të bashkëpunojë me të gjitha kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
“Do të bashkëpunoj me të gjithë sepse dëshmorët janë të të gjithëve. Për mua është sakrificë dhe motiv për një punë të mirë dhe shërbime për këtë kategori më meritore të shoqërisë sonë”, është shprehur ajo.
Ndërsa Refki Morina, sekretar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Malishevë, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me këtë komitet edhe për të ardhmen, në mënyrë që të ndihmohen kategoritë e dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së.
Në këtë takim, anëtarët e këtij komiteti janë zotuar se shumë shpejt do të prezantojnë, kërkesat e tyre të cilat do t’ia prezantojnë institucioneve komunale dhe shoqatave të dala nga lufta çlirimtare.
/Epoka e re/