Pajtohen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Gjilanit dhe Gostivarit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel komunal përmes programeve e projekteve të përbashkëta ndërkomunale në të mirë të qytetarëve të dy komunave.
Haziri ka thënë se Gjilani dhe Gostivari kanë shumëçka të përbashkët, duke përfshirë kulturën dhe komunikimin. “Dëshiroj që bashkëpunimi Gjilan – Gostivar të thellohet edhe më shumë dhe, pse jo, të kemi bashkëpunim të pushtetit lokal edhe jashtë regjionit tonë, duke e ndihmuar njëri-tjetrin për përfaqësim sa më të mirë”, ka thënë Haziri.
Ndërsa kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, ka vlerësuar lart punën e kryetarit Haziri si kryetar i Gjilanit.
“Ne si komunë, së bashku me Gjilanin, mund ta bëjmë implementimin e projekteve të përbashkëta ndërkomunale. Raportet tona do të vazhdojnë të thellohen dhe të jenë edhe më me intensitet, përmes ideve, projekteve dhe bashkëpunimit ndërkomunal e ndërshtetëror”, ka thënë Taravari.
/Epoka e re/