Pak deputetë presin bashkatdhetarët
Dyert e Kuvendit të Kosovës janë hapur sot për bashkatdhetarë, të cilët kanë shprehur interesimin për të parë nga afër hapësirat, ku deputetët zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Për shkak të përfundimit të sesionit pranveror, numri i deputetëve që kanë pritur bashkatdhetarët ka qenë i vogël.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje kolegëve të saj që të vijnë në Kuvend për t’i mirëpritur bashkatdhetarët.
“E keni pa paralajmërimin që ka qenë prej orës 10:00. Kuvendi nga e hëna ka shkuar në pushim. Deputetët që janë këtu, së pari do të vijnë të takojnë bashkatdhetarët. Unë mora një libër nga Halit Elshani, nga një bashkatdhetar që jeton në Bruksel, i cili ka punuar gjatë atje për t’i integruar fëmijët e tij dhe për t’i kthyer në Kosovë”, ka thënë Musliu.
Ndërsa, bashkatdhetari Halit Elshani nga Belgjika, i cili ka vizituar Kuvendin, ka thënë se gjendja në Kosovë nuk është e keqe sa thuhet.
Për t’u takuar me bashkatdhetarë ka ardhur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai ka thënë se në Kosovë nuk janë realizuar pritjet e tyre.