Pak fjalë për gjyshin

11 tetor 2024 | 13:01

Nga: Flakron Shala

Xheladin Shala ishte i biri i Ramadanit dhe trashëgimtar i denjë i rrugës së tij, si një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai u persekutua nga regjimi i kaluar, veçanërisht gjatë viteve të ’80-ta dhe ’90-ta, për shkak të bindjeve të tij të palëkundura për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, Xheladini u burgos dhe u torturua disa herë, nga regjimi i atëhershëm, por nuk u dorëzua kurrë. Ideali i tij për liri dhe pavarësi u përcoll edhe tek fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, duke u bërë pjesë e një trashëgimie të fortë rezistence. Njëri prej djemve të tij, Avni Shala, gjithashtu përjetoi persekutim, burgosje dhe tortura pas viteve ’80-ta, nga regjimi i atëhershëm për shkak të angazhimit të tij në çështjet kombëtare dhe të drejtat që po u mohoheshin shqiptarëve të Kosovës në atë kohë.
Në vitet e ’90-ta, me fillimin e lëvizjeve për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deri në shpërthimin e luftës, familja Shala, përfshirë djemtë, nipërit, mbesat dhe të afërmit, u rreshtua në mbrojtje të atdheut, me uniformë dhe armë në krah. Shtëpia e Xheladinit për një kohë u kthye në strehë të UÇK-së. Më vonë, gjatë luftës, fatkeqsisht Xheladini përjetoi humbje të rënda familjare, ai humbi nënën e tij, Qamilen, dhe vëllain e tij, Bislimin, ky i fundit duke rënë heroikisht në mbrojtje të pragut të tij. Familja Shala mbeti në shënjestër të regjimit serb, por megjithatë kjo nuk i ndaloi. Djemtë e familjes, Haxhi, Naser, Nuhi e Sabit Shala, Fatmir, Fadil, Florijen e Besim Shurdhaj, Behlul Limaj, Burim e Blerim Bytyci, dhe të tjerë, dolën në ballë të aksioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare, duke u bërë eprorë dhe çlirimtarë të spikatur kundër gjenocidit të Serbisë që po kryente mbi popullatën civile në Kosovë. Ata luftuan me vetëmohim për mbrojtjen e popullatës civile dhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Prandaj, në këto ditë të vështira, në emër të familjes Shala, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju që na nderuat me praninë tuaj, për ngushëllimet, vizitat, fjalët e ngrohta dhe mbështetjen tuaj. Jemi thellësisht mirënjohës për çdo fjalë ngushëllimi dhe për çdo veper solidariteti që na keni treguar dhe dhënë në këto momente. Mbështetja dhe dashuria juaj na kanë dhënë forcë të madhe për ta përballuar këtë humbje të rëndë. Faleminderit që ishit pranë nesh dhe që e nderuat kujtimin e gjyshit tonë me kaq dashuri dhe respekt.
Qoftë kujtimi i tij i përjetshëm në zemrat tona. Lavdi jetës dhe veprës së babait e gjyshit tonë, Xheladin R. Shala!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti monogask Charles Leclerc ka ide të qarta për të…