Pak gra në uniformë të FSK-së
Në Kazermën “Minatori” të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, nga rreth 400 ushtarë sa janë gjithsej, 37 prej tyre janë gra.
Në mesin e tyre është edhe 22-vjeçarja nga Skenderaj, Lirijona Bajraktari.
Ajo ka veshur uniformën në vitin 2019, kur edhe filloi transformimi i misionit të FSK-së nga civil në ushtarak.
“Mbajtja e armës është një përgjegjësi e madhe dhe, pavarësisht që jam e re në FSK, [kjo] është bërë një pjesë e jona edhe e aktiviteteve tona ditore që i kemi. Sigurisht që është ngarkesë, për shkak se shumë shpesh kemi trajnime që kërkojnë përgatitje të lartë, qoftë fizike, qoftë psikike, taktike… Edhe kemi marshime me pesha të rënda, kemi javë të tëra në terren”, ka thënë ajo.
Lirijona ka lindur më 1999, në vitin kur përfundoi lufta e fundit në Kosovë.
Ajo ka thënë se rrëfimet e prindërve për këtë pjesë të historisë, e kanë frymëzuar që një ditë të betohet se do të shërbejë për popullin dhe Republikën e Kosovës.
“Si inspirim për t’u bërë ushtare, ka qenë historia të cilën e kemi kaluar… Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri nga ne është prekur nga historia e fundit. Kështu që kam menduar se ndoshta mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit, është pikërisht duke qenë pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ajo.
Lirijona, ushtarja e re e FSK-së, ka thënë se ka shumë paragjykime nëse gratë janë të afta për të qenë pjesëtare të ushtrisë.
“Mendoj se FSK-ja ka dhënë shumë shembuj të pjesëtareve të saj që i kanë sfiduar këto paragjykime. Kam qenë shumë me fat që kam pasur përkrahjen dhe mbështetjen maksimale nga familja ime”, ka thënë ajo.
Përpjekjet për të rritur përqindjen e grave në FSK
Nga rreth 2 500 sa është numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të FSK-së, rreth 300 apo 11 për qind janë gra. Prej tyre, me grada kolonele, nënkolonele, majore e të tjera.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi thotë për “Radion Evropa e Lirë” se kushtet për pranim në FSK nuk lidhen me gjininë, ndonëse thekson se janë bërë disa fushata për të rritur interesimin dhe aplikimin e grave.
“Koncepti i ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vetëm në bazë të performancës, shkathtësive dhe aftësive profesionale që demonstron një pjesëtar i FSK-së, pa dallim a është burrë apo grua, pa dallim a është djalë apo vajzë”, ka thënë Isufi
Komuna e Dragashit nuk ka asnjë grua në uniformë të FSK-së.
Brikena Avdyli nga Fondacioni Jahjaga, që promovon mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, tregon se në tetor të këtij viti kanë organizuar një aktivitet me vajzat e Dragashit.
“Vajzat kanë mundur të shohin që ato mund të kyçen në këto profesione, jo detyrimisht ta sakrifikojnë jetën e tyre individuale. Policet edhe gratë në FSK kanë treguar se ato i kryejnë të gjitha punët e tyre dhe vazhdojnë të kthehen në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët, për familjen. Në fund [të aktivitetit], ne e bëmë pyetjen se a do të kishin pasur interesim vajzat në sallë ta konsiderojnë një profesion të tillë dhe goxha disa duar u ngritën”, ka thënë Avdyli.
Shpat Balaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Ministria e Mbrojtjes duhet të punojë më shumë për të rritur numrin e grave në FSK, e sidomos në pozita udhëheqëse.
Aktualisht, grada më e lartë që mban një grua në FSK është gjeneral brigade.
“Në përgjithësi, kjo sfera e mbrojtjes në Kosovë shihet si diçka që është ekskluzive për burra, e që realisht nuk është ashtu në praktikë. Prandaj, është shumë e nevojshme që përmes edukimit, edhe përmes përfshirjes sa më të gjerë të grave të thyhet kjo, ky perceptim… edhe të bëhen hapa përpara drejt përmirësimit të statistikave në përgjithësi, por gjithashtu edhe përfaqësimit në nivel strategjik të grave”, ka thënë Balaj.
Nga vendet e rajonit, në Serbi 20 për qind e pjesëtarëve të ushtrisë janë gra; në Shqipëri 18 për qind; në Mal të Zi 14 për qind. Vetëm në Maqedoni të Veriut, përqindja është më e vogël se në Kosovë – 9 për qind. Një përqindje më të lartë të grave, Kosova e ka në policinë e saj. Nga 9 100 sa është numri i përgjithshëm i policëve, 15 për qind e tyre janë gra.