Pak javë deri te liberalizimi i vizave, pritet fluks vizitash drejt Evropës
Kanë mbetur edhe pak javë kur pritet që qytetarët e Kosovës të fillojnë të udhëtojnë pa viza për në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, është rritur kërkesa e kosovarëve për rezervimin e biletave nëpër agjencitë turistike. Disa nga agjencitë kanë pranuar se do të ketë rritje të çmimeve të biletave në muajin e parë të vitit 2024, ndërsa edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka bërë përgatitjet për një fluks të madh të udhëtimeve.
Qytetarët e Kosovës kanë filluar interesimin e tyre për procedurat e udhëtimit pa viza në 27 vendet e zonës shengen në Evropë nga 1 janari i vitit 2024. Disa prej tyre thonë se udhëtimi pa viza do t’ju shërbejë për mundësi studimi, ndërsa të tjerë për punësim.
Liona Jupolli, e cila prej 26 vjetësh jeton jashtë Kosovës, mendon se qytetarët e Kosovës janë më shumë kureshtarë të shohin vendet e Evropës, ndërsa vlerëson se jeta në Kosovë është më interesante.
“Pastaj e shohin që jeta atje është shumë më e vështirë, sepse kanë nevojë për më shumë punë dhe besoj se shumë njerëz janë mësuar më shumë me jetën këtu në Kosovë. Shumë qytetarë të Kosovës vijnë përsëri në Kosovë, pasi jeta këtu është më interesant. Është edhe shoqëria shumë e rëndësishme. Unë vetë do të doja të jetoja këtu, por unë prapë do të kthehem pasi e kam shoqërinë atje”, ka thënë ajo.
E Orgesa Krasniqi, mendon se udhëtimi pa viza për në vendet evropiane do të shërbejë jo vetëm për vizita te familjarët, por edhe për studime e shkëmbime të ndryshme përvojash.
“Po të më jepej mundësia të vizitoja ndonjë vend, do të kisha pasur dëshirë të udhëtoja për një edukim më të mirë dhe për një jetë më të mirë me kushte më të mira. Mendoj që pasi do t’i kisha përfunduar studimet atje, do të isha kthyer për familjen”, ka theksuar Orgesa.
Orjanit Thaçi, nga Komuna e Gjakovës, thotë se njëherë nuk ka në plan të udhëtojë për në vendet evropiane, ndërsa mendon se shumë qytetarë do të ikin me qëllim punësimi.
“100 mijë veta nëse shkojnë, 70 mijë do të kthehen, ndërsa 30 mijë do të rrinë atje dhe ky do të jetë një dëm i madh për Kosovën. Liberalizimi nuk ndryshon asgjë, kushdo mund të vijë që ka dëshirë. Mendoj që tani do të rriten çmimet e biletave, rriten rrogat.”
Ndërkohë, agjencitë e udhëtimeve kanë pranuar se dy muajt e fundit është rritur kërkesa e qytetarëve për të rezervuar bileta udhëtimi për në vendet evropiane. Bojken Beqiri nga njëra nga agjencitë turistike që veprojnë në kryeqytet tha për Radio Kosovën se numri i njerëzve që kanë rezervuar bileta është relativisht i madh, ndërsa pranoi se çmimet e biletave pritet të rriten gjatë muajve të parë të vitit.
“Tani për sezonin e dimrit në prag janë skijimet, ndërsa numri i njerëzve që kanë rezervuar është relativisht i lartë. Për momentin oferta është duke u ngritur, sepse të gjitha kompanitë ajrore ose agjencitë turistike janë duke rritur numrin e fluturimeve dhe numrin e paketave turistike. Po ashtu, edhe kërkesa që do të rritet më shumë sesa oferta, fillimisht mund të ketë rritje të çmimeve në muajin e parë, mirëpo besoj se menjëherë do të ulen dhe do të mbesin çmime të përballueshme për të udhëtuar për në Evropë”, ka theksuar Beqiri.
Ndërkohë Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se nga 1 janari presin një fluks të madh të udhëtimeve. Ajo tha për Radio Kosovën se aeroporti ka bërë të gjitha përgatitjet, ka investuar në infrastrukturë, ku janë duke zgjeruar terminalin e aeroportit, ndërsa janë shtuar edhe katër hyrje e dalje të reja, e gjithashtu është shtuar edhi numri i personelit në aeroport.
Profesori universitar, Dritëro Arifi, e shikon liberalizimin e vizave si një mundësi të mirë për qytetarët e Kosovës për të kuptuar se si funksionon Evropa në praktikë.
“Mendoj që do të ketë një fluks, por jo në kuptimin negativ. Do të ketë fluks të interesimit se si është të jetosh në Evropë, se si duket Evropa, se si të pranon Evropa, etj. Për sa i përket tregut të punës, shumica e kosovarëve veç kanë gjetur punë në vitet e fundit në Evropë ende pa u liberalizuar vizat, pra, këtë nuk mund ta ndalojmë. Mendoj që aspekti psikologjik dhe i vetëdijesimit do të jetë që kosovarët që do të kthehen në Kosovë do të kenë një qasje tjetër edhe ndaj politikës, edhe ndaj botëkuptimit se si funksionon një shtet normal. Prandaj e shoh si pozitive. Paraprakisht do të duhej të ishte alarm për Qeverinë e Kosovës dhe për sektorin privat që gjërat duhet të ndryshojnë dramatikisht, pra të qasjes ndaj fuqisë punëtore dhe ndaj mirëqenies së tyre”, është shprehur Arifi.
Sipas një ankete të realizuar nga SchengenVisaInfo, 62.3 për qind e të anketuarve, kanë thënë se nuk mendojnë të zhvendosen në vendet e BE-së, krahasuar me 37.7 për qind që duan të largohen një ditë nga Kosova. Për sa u përket atyre që planifikojnë të largohen nga Kosova, shtysa kryesore lidhet me punësimin, 74.5 për qind dhe turizmin 53.2 për qind. Gjermania, Zvicra dhe Franca janë destinacionet kryesore për të anketuarit. Në një artikull të fundit nga SchengenVisaInfo, ekspertët për këtë çështje, si dhe pronarët e bizneseve, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë dhe t’i përmirësojnë kushtet e punës për punonjësit, pasi ata mund të rrezikojnë ta humbasin fuqinë punëtore pas liberalizimit të vizave që do të fillojë në janar të vitit 2024.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës po vazhdon fushatën për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.