Pak para zgjedhjeve të brendshme në PDK, Veseli takon të rinjtë

06 mars 2018 | 19:17

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka mbledhur sot në Prishtinë të rinjtë e PDK-së si një pikënisje të procesit të brendshëm zgjedhor.

Në një tubim në “sheshin 21” në Prishtinë, Veseli ka thënë se rinia ka qenë prijëse e procese të mëdha në vend, e po ashtu ka qenë edhe shtylla kryesore e PDK-së në rrugëtimin e saj politik.

Kryetari i PDK-së ka shtuar se Kosova ka shënuar të arritura në këto 10-vjet shtet, por shtoi se të rinjtë e këtij vendi meritojnë shumë më shumë.

“S’kemi pse turpërohemi para askujt. Por, as të kënaqemi. Kemi ende shumë për të bërë. Kjo është ajo që duhet ta bëjmë në Dekadën e Dytë të Pavarësisë, në Dekadën e Re të lirisë sonë, në Dekadën e Besimit, Zhvillimit dhe Integrimit”, ka thënë Veseli.
.
Duke përmendur “Dekadën e Re”, si moto të PDK-së, Veseli ka thënë se ajo ngërthen në vete shumë angazhime.

“Dekada e Dytë e Pavarësisë së Kosovës do të jetë dekada e të rinjve. Dekada e lidershipit të tyre në sfidat e besimit – në veten dhe shtetin, në atë që jemi dhe çfarë përfaqësojmë; zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, fuqizimit të demokracisë dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit euro-atlantik. Ky është koncepti dhe vizioni i Partisë Demokratike për të rinjtë e Kosovës. Ne synojmë një qasje plotësisht të re në përfshirjen e të rinjve në politikë, duke ruajtur njëkohësisht traditën e mirë që kemi ndërtuar si parti në krijimin e hapësirës politike për angazhimin e të rinjve. Rinia do të jetë mekanizmi kryesor i ndryshimit të partisë dhe të vendit”, ka thënë ai.

Ai iu ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen për një proces transparent, por shumë më shumë, për të afruar në vizionin e PDK-së të rinj anembanë Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë forca juaj e veprimit; e mendimit të lirë, zhvillues dhe integrues të vendit tonë krenar. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë hallka kryesore përmes të cilës të rinjve do t’u mundësohet të japin kontributin e tyre për shtetin, ekonominë, kulturën dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë. Prandaj, le të afrojmë në familjen tonë të madhe, në PDK, edhe më shumë të rinj e të reja të tjerë, anembanë Kosovës, të cilët duan ta japin kontributin e tyre të çmuar për vendin”, ka deklaruar Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të manifestimit gjithëpopullor për shënimin e 20 vjetorit…