Pak qarkullim në Stacionin e Autobusëve, transportuesit ankohen se nuk mund të funksionojnë me kufizime
Të hënën, në fazën e dytë të lehtësimit të masave, që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, është lejuar edhe transporti ndërurban, por me leje të veçanta.
Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë të martën nuk janë parë as autobusë e as udhëtarë.
Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve po e sheh të pamundur aplikimin e masave që janë kërkuar për operimin e autobusëve. Sipas tyre, më shumë humbje do të ketë nëse vazhdojnë të mbajnë linjat e rregullta me këto kufizime, sesa të ndalet operimi. Kjo shoqatë e sheh të pakuptimtë që është lëshuar transporti ndërurban, ndërsa ende ka kufizime në lëvizje të qytetarëve.
Anëtari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Jakup Berisha, ka thënë se nuk ka mundësi qarkullimi, pasi qytetarët kanë vetëm dy herë në ditë nga dy orë leje qarkullimi. “Udhëtarë nuk ka, për shkak të kufizimit të lëvizjes të qytetarëve. Çka është tjetra, më e rëndë për ne si operator është se nuk mund të nxjerrim vërtetime as për të punësuarit e as për vet neve pronarëve të kompanive, sepse transporti ndërurban ka qenë e paraparë për fazën e tretë dhe në EDI programin në ATK nuk ekzistojnë për asnjë kompani transporti vërtetimet të cilat mund t’i tërheqim për punëtorët”, ka thënë Berisha. “Po ashtu në 50 për qind të karrigeve nuk ka të drejtë të ulen udhëtarët, për këtë pjesë duhet shteti të subvencionojë transportin nëse dëshirojmë të kemi transport në nivel vendi. Kjo pasi transportuesit më pak humbin duke ndenjur sesa të dalin të punojnë në këto kushte. Nuk ka mundësi që me aq pak udhëtarë të mbulohen shpenzimet”.
Kryeshefi i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Luan Hoti, ka treguar se të martën nuk ka pasur fluks të udhëtarëve e as të autobusëve.
“Ka shumë pak fluks të udhëtarëve, thuajse fare nuk ka, por edhe nuk ka autobusë të cilët qarkullojnë në linjat e rregullta të cilat i kanë. Ndoshta ka të bëjë me vendimin që bien ë ndesh me kufizimin e lëvizjes së njerëzve. Ka një moskoordinim mes rregullave në fuqi dhe vendimit që është lëshuar për lehtësim të masave. Mirëpo nuk është në kompetencën time ta gjykojë këtë, vetëm si pasojë e kësaj shihet që Stacioni i Autobusëve nuk ka as autobusë e as udhëtarë”, ka deklaruar Hoti. /KP