Më pak se një për qind e qytetarëve kanë sigurime jetësore
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se më pak se 1 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë sigurime jetësore.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës shpenzojnë vetëm 44 euro në vit për sigurime, që përbën vlerën më të ulët në rajon.
Mazreku ka theksuar se industria e sigurimeve përballet me mjaft sfida, duke filluar nga legjislacioni tatimor.
“Epoka e re”: Z. Mazreku, kohën e fundit u raportua se sektori i sigurimeve në Kosovë përbën vetëm tre për qind të tregut të përgjithshëm. Sipas jush, pse përballemi me këtë shifër?
Mazreku: Po, është e vërtetë. Sipas raportit vjetor të BQK-së, industria e sigurimeve merr pjesë me vetëm 3 për qind në vlerën e aseteve të sektorit financiar. Sektori bankar dhe fondi pensional janë të mëdhenj, prandaj me automatizëm e bën industrinë e sigurimeve të ketë pjesëmarrje të vogël në strukturën e aseteve. Tregu i sigurimeve është shumë i vogël, primi i shkruar vjetor (pra të hyrat, jo profiti) janë 84 milionë euro dhe në kuptim të penetrimit (Primi i shkruar/GDP e vendit) dhe densitetit (Primi i shkruar për kokë banori) janë më të voglat në rajon (përjashto këtu Shqipërinë). Një ndër arsyet për shifra të tilla të ulëta është sistemi tatimor në Kosovë, i cili i ngarkon kontratat e sigurimit me 24.35 për qind taksa. Një politikë e tillë tatimore nuk haset në asnjë vend të rajonit e mos të flasim për vendet e BE- së. Në asnjë vend kompanitë e sigurimit nuk tatohen me shkallë prej pesë përlindësh në të hyra, por tatohen në profit real. Kurse sa i përket TVSh-së, sigurimet janë të liruara nga TVSh-ja si në rajon ashtu edhe në BE. Këto taksa paraqesin mjaft ngarkesë për penetrimin e tregu, pasi është ngarkesë e konsiderueshme për blerësin. Tutje, numri mjaft i madh i kompanive të sigurimit, në një treg kaq të vogël ka ndikuar që çmimet e sigurimit të jenë shumë të ulëta, gjë që pengon akumulimin e aseteve. Gjithashtu, si pasojë e rregullatives ligjore për sistemin Bonus Malus të aprovuar nga BQK-ja, primi i sigurimit në klasën më të madhe të sigurimeve zvogëlohet për çdo vit. Veç të tjerash, kjo mendoj se ka të bëjë edhe me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend, me mirëqenien sociale, me fuqinë blerëse të qytetarëve.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)