Pakistanezët protestojnë kundër dhunimit dhe vrasjes së vajzës tetë vjeçare
Protestuesit pakistanezë, të cilët janë të zemëruar pas dhunimit dhe vrasjes së vajzës tetë vjeçare, Zainab Ansari, kanë sulmuar stacionin policor dhe një zyrë qeveritare, e cila ka rezultuar me vdekjen e të paktën dy personave.
Zyrtari i lartë policor, Imran Naëaz Khan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se sulmi në stacionin policor ka ndodhur në Provincën Punjab.
Një zyrtar tjetër ka refuzuar të deklarojë nëse vdekjet kanë qenë rezultat i të shtënave nga policia.
Dhuna ka shpërthyer disa orë para ceremonisë së funeralit të vajzës, Zainab Ansari, trupi i së cilës është gjetur në një kosh mbeturinash.
Banorët lokalë kanë thënë se tetë vjeçarja është zhdukur, pasi ka ndjekur mësimet kuranike më 4 janar.
“Dua drejtësi! Dua drejtësi!” ka thënë nëna e vajzës.
“Në dy vitet e fundit ne jemi duke jetuar në frikë. Prindërit janë të frikësuar të lejojnë fëmijët të dalin jashtë shtëpisë”, ka thënë babai i vajzës.
Naëaz Khan ka thënë se një i dyshuar është arrestuar.
Ai ka shtuar se janë ndaluar edhe 57 persona të tjerë, mirëpo janë liruar “pasi nuk është përputhur ADN-ja”.
Lideri opozitar, Imran Khan, u ka bërë thirrje autoriteteve të veprojnë me shpejtësi, duke dënuar me anë të një postimi në Twitter “dhunimin e tmerrshëm të vajzës duke vënë në pah edhe një herë sa të ndjeshëm janë fëmijët”.