Pakistani me sulme hakmarrëse ndaj Iranit
Avionët luftarakë të Pakistanit kanë kryer sulme ajrore mëngjesin e 18 janarit ndaj caqeve të supozuara militante në Iranin fqinj. Sipas zyrtarëve lokalë iranianë, në këto sulme janë vrarë katër fëmijë dhe tri gra.
Sulmet në provincën Sistan-Baluçestan vijnë pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit sulmoi provincën jugperëndimore pakistaneze të Baloçistanit më 16 janar, duke vrarë dy fëmijë.
“Në orën 4:50 të mëngjesit, disa shpërthime janë dëgjuar në zonën e qytetit Saravan dhe pas hetimeve, ne gjetëm se Pakistani shënjestroi me raketa një prej fshatrave kufitare të Iranit”, tha zyrtari nga Sistan-Baluçostan, Alireza Marhamati.
“Tri gra dhe katër fëmijë janë vrarë”, tha Marhamati në një prononcim për agjencinë e lajmeve Mehr.
Sulmet hakmarrëse ajrore të Pakistanit ndodhën disa orë pasi Islamabadi tërhoqi ambasadorin e tij nga Irani, në shenjë proteste ndaj sulmit të kryer nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit.
Më 16 janar, Iraku po ashtu tërhoqi të dërguarin në Teheran, pasi disa civilë u vranë gjatë sulmeve raketore të Gardës iraniane në Irbil.
Irani ka pretenduar se sulmet e 16 janarit shënjestruan një “seli të spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë./rel