Pakistani ‘merr kontrollin’ e 182 medreseve
Qeveria e Pakistanit ka bërë me dije se ka marrë kontrollin e 182 shkollave fetare dhe se ka arrestuar mbi 100 njerëz, gjatë bastisjeve të militantëve islamikë.
“Autoritetet provinciale kanë marrë nën kontroll udhëheqjen dhe administrimin e 182 medreseve”,a theksuar Ministria e Brendshme e Pakistanit, duke iu referuar shkollave fetare.
“Agjencitë e zbatimit të ligjit kanë ndaluar edhe 121 njerëz”, ka bërë me dije kjo ministri.
Pakistani është nën presion ndërkombëtar për të shtypur organizatat militante që kryejnë sulme në Indi, përfshirë grupin Jaish-e-Muhammad, i cili ka marrë përgjegjësinë për një sulm muajin e kaluar, në të cilin kanë mbetur të vrarë mbi 40 forca paraushtarake të Indisë, raporton “Rel”.
Megjithatë, Ministria e Brendshme e Pakistanit tha se bastisjet janë planifikuar më herët dhe se nuk janë përgjigje ndaj presionit ndërkombëtar.
Shkollat fetare, të cilat në shumë raste janë forma e vetme e arsimimit për miliona fëmijë të varfër, fajësohen shpesh për radikalizmin e të rinjve pakistanezë.