Pakistanit i kërkohet t’i luftojë militantët që kanë kidnapuar forcat iraniane
Garda Revolucionare e Iranit i ka bërë thirrje Pakistanit të luftojë militantët që dyshohet se kanë kidnapuar 14 anëtarë të forcave të sigurisë së Iranit më 16 tetor në kufirin që ndajnë këto dy shtete.
“Ne presim nga Pakistani të përballet me këto grupe terroriste, të cilat mbështeten nga disa shtete rajonale dhe të lirojnë menjëherë forcat iraniane të kidnapuara”, kanë thënë zyrtarë të Gardës Revolucionare në një deklaratë televizive.
Mediet shtetërore iraniane kanë raportuar më herët se 14 trupa kufitare duke përfshirë zyrtarë të inteligjencës janë kidnapuar në kufirin juglindor të Iranit me Pakistanin.
Agjencia e lajmeve “IRNA” ka thënë se rojet kufitare janë zënë “nga grupe terroriste”, në orët e para të mëngjesit në zonën Lulakdan.
Nga të 14 personat, dy prej tyre janë anëtarë të njësisë së Inteligjencës dhe shtatë të tjerë, vullnetarë të përfshirë në një “operacion të sigurisë”.
Në raportime nuk është përmendur emri i ndonjë grupi që dyshohet se ka kryer kidnapimet.
Në këtë zonë kanë ndodhur shpesh përleshje në mes të forcave të sigurisë dhe separatistëve të Provincës Baluçistan, raporton “Rel”.
Në muajin shtator, disa militantë të veshur si ushtarë kanë nisur zjarr në një paradë ushtarake në jugperëndim të Iranit, duke lënë të vdekur 24 persona dhe rreth 60 tjerë të plagosur.