Pakoja e projektligjeve të sistemit prokurorial diskutohet me ekspertët e Komisionit të Venecias
Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, së bashku me zëvendësministrat Blerim Sallahu e Nita Shala dhe përfaqësues të tjerë nga kjo ministri, kanë marrë pjesë në takimin me përfaqësues të Komisionit të Venecias, me të cilët është diskutuar pakoja e projektligjeve të sistemit prokurorial, me theks të veçantë Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Haxhiu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar ekspertët për vizitën në Kosovë dhe për vullnetin që kanë treguar për të ndihmuar në një çështje tejet të rëndësishme për qeverinë, por edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Tashmë ka 8 muaj që ne kemi marrë mandatin dhe dy zotimet tona para qytetarëve kanë qenë: sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Pas formimit të qeverisë zotimet tona janë bërë pjesë e programit qeverisës dhe në këtë drejtim që nga momenti që kam marrë detyrën i tërë potenciali ynë është përqendruar në zbatimin e programit qeverisës dhe për këtë jemi duke punuar me tërë kapacitetet, edhe si kabinet, pra stafi politik dhe stafi civil e profesional i Ministrisë së Drejtësisë. Synimi yni janë reformat e thella në drejtësi me qëllim që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.
Më tutje, ajo ka thënë se para katër vjetëve në Kosovë ka nisur një analizë për identifikimin e problemeve të sistemit të drejtësisë.
“Kjo analizë në mandatin tonë qeverisës është kurorëzuar me strategjinë për sundimin e ligjit në të cilën kanë marrë pjesë, përveç Ministrisë së Drejtësisë, edhe institucionet e tjera të drejtësisë, shoqëria civile, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ekspertë të shumtë. Pra, reformimi i KPK-së vjen si domosdoshmëri e identifikuar në strategjinë ndërsektoriale për sundimin e ligjit, me synim rritjen e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies në sistem prokurorial, në veçanti në KPK si organ mbikëqyrës e llogaridhënës dhe me synimin për ta evituar menaxhimin korporatist në KPK dhe arritjen e balancës në KPK me përfaqësim të barabartë të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë”, është shprehur Haxhiu.
Ndërsa përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, Antonio Gaspar, James Hamilton dhe Grigory Dikov, kanë falënderuar ministren Haxhiu dhe Ministrinë e Drejtësisë për bashkëpunim, si dhe kanë adresuar pyetje rreth synimeve të cilat do të arrihen me anë të kësaj pakoje reformuese, ku stafi i kësaj ministrie është përgjigjur në të gjitha çështjet e ngritura.
Pas këtij sesioni diskutimesh me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të aktorëve të tjerë, Komisioni i Venecias do të dërgojë raportin me rekomandime përmes të cilit do t’u përgjigjet pyetjeve të adresuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.