Pakoja Emergjente të vazhdojë edhe pas muajit maj

18 maj 2020 | 09:08

Sot ka filluar faza e dytë e lehtësimeve të masave të marra nga qeveria në detyrë e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit Korona. Në fazën e dytë do ta fillojnë punën floktarët dhe sallonet e bukurisë, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregjet e gjelbra, restorantet dhe kafenetë me sistemin e sportelit, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial si dhe galeritë dhe muzetë.

Qytetarët do të vazhdojnë të dalin dy herë në ditë, nga 2 orë, sipas shifrës së parafundit në numrin e kartës së identitetit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është lajm i mirë nisja e kësaj faze sepse po fillon hapja e bizneseve në Kosovë. Sipas tij, me fillimin e fazës së dytë bizneset duhet t’u përmbahen rregullave dhe duhet t’i marrin masat sipas rekomandimeve të institucioneve të Kosovës.

“Bizneset duhet të kenë parasysh se edhe vetë qytetarët e Kosovës kanë pasur mungesë të financave. Ne kemi kërkuar që qeveria të jetë më gjeneroze. Sot bizneset ballafaqohen me likuiditet”, ka thënë sot ai në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Zeka ka vlerësuar se Pakoja Emergjente e Qeverisë së Kosovës duhet të vazhdojë edhe pas muajit maj. Sipas tij, ekonomia e Kosovës është goditur prej 40 deri në 50 %.

“Humbjet ditore janë prej 8 deri në 10 milionë euro për ekonominë e Kosovës”, ka thënë Zeka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pak më pak se 30 minuta, fansat blenë maskat…