Pakot me gjëra esenciale për ish pjesëtarët e UÇK-së në Hagë, ky është sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë
Një ditë më parë vajza e Jakup Krasniqit ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla se ua ka ndaluar që përmes MPJD-së t’u dërgojnë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë gjërat esenciale.
Pas këtyre akuzave Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka thënë se arsyeja përse nuk janë dërguar pakot me gjëra esenciale për Jakup Krasniqin në Hagë është sepse ka skaduar kontrata me operatorin ekonomik.
E lidhur me këtë, sot ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.
MD thekson se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka thënë se arsyeja përse nuk janë dërguar pakot me gjëra esenciale për Jakup Krasniqin në Hagë është sepse ka skaduar kontrata me operatorin ekonomik.
Po ashtu MD-ja thekson se tashmë ka nisur procedurat përkatëse për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë, në kuadër të të cilave hynë edhe dërgimi i pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
“Ministria e Drejtësisë do t’i përmbushë të gjitha obligimet e përcaktuara me Ligjin nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara dhe aktet përkatëse nënligjore. Duke qenë se ligji i cekur më lartë përcakton ofrimin e asistencën për personat e akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara dhe në pajtim me planin e prokurimit të vitit 2021, Ministria e Drejtësisë, tashmë ka nisur procedurat përkatëse për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë, në kuadër të të cilave hynë edhe dërgimi i pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore është autorizuar zyrtari për fillimin e procedurës, si dhe janë siguruar mjetet për kontratë kornizë.
“Ministria e Drejtësisë këtë çështje do t’ua konfirmojë familjarëve të personave të akuzuar ditën e hënë ku do të njoftohen në detaje në lidhje me përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftimin e MD-së.