Pal Lekaj: Nuk e pranojmë kushtin e LDK-së edhe nëse rrëzohet Qeveria
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se partia në të cilën gjendet nuk është e gatshme ta pranojë kushtin e LDK-së, për demarkacionin.
Ai në një përgjigje për “Insajderi”, ka deklaruar se AAK-ja është në gjendje që të pranojë të rrëzohet Qeveria, vetëm e vetëm që demarkacioni me kushtin e LDK-së të mos kalojë.
“Ne në asnjë formë nuk e pranojmë kushtin e vënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për demarkacionin. AAK, kompromisin më të madh e ka bërë në momentin që ka pranuar që kësaj çështje t’ia vënë aneks marrëveshjen në mes presidentit kosovar dhe malazez. Ne nuk pranojmë asnjë marrëveshje jashtë këtij aneks marrëveshje dhe raportin e komisionit të Shpejtim Bulliqit. Le të bjerë qeveria, le të bëhet çfarëdo, por jashtë këtyre gjërave nuk do të shkojmë. Sepse AAK nuk do i tradhtojë votuesit e saj, në asnjë formë”, ka thënë Lekaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vënë kusht që e pranojnë ratifikimin e demarkacionit, nëse ai sillet në Kuvend, pa aneks marrëveshjen në mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, dhe pa raportin e komisionit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi.