Pal Lekaj tregon partitë me të cilat mund të bëjë koalicion AAK

19 maj 2024 | 19:46

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se AAK është pro zgjedhjeve që prej kohësh, një vit pas qeverisjes së Kurtit, derisa kishte mbledhur dhe nënshkrimet për mocion, por s’kishte marrë përkrahje nga partitë tjera opozitare, PDK e LDK.

Sipas tij, ka arsye të shumta pse Kurti duhet të japë dorëheqje sa më parë, të cilin e quan mashtrues që po mashtron qytetarët.

“Për zgjedhje opozita është çdoherë, AAK pas 1 viti të qeverinë ka qenë pro zgjedhjeve, duke e parë mos punën dhe keq menaxhimin e Qeverisë Kurti, ata janë praktikantë dhe i kanë mbledhur disa praktikantë që nuk kanë rezultuar me rezultate prekëse për qytetarët e Kosovës dhe mendoj se sa më parë që Kurti të japë dorëheqje, është më mirë për vendin. Raportet me ndërkombëtarët janë tejet të ulëta, me opozitën s’ka transparencë, bashkëpunim dhe qysh tani i ka rënë ndërmend që ta thërras opozitën. Prandaj, mund të them lirshëm që z.Kurti është një mashtrues, ai po mashtron qytetarët e Kosovës dhe tani po do që të mos japë dorëheqje dhe fajin t’ia hedhë Kuvendit”, shprehet ai.

Duke folur për rezultatet që presin në zgjedhjet e ardhshme, qoftë të parakohshme apo të rregullta, deputeti i AAK-së thekson se secila parti hyn në zgjedhje për të fituar.

“Secila parti hyn për t’i fituar zgjedhjet, VV s’mund të thotë se lufton për vend të 2 ose 3. Ne si AAK jemi të përgatitur shumë mirë që të hyjmë fuqishëm në këto zgjedhje, që ta dërgojmë në shtëpi këtë qeveri” potencon Lekaj për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me koalicionet e mundshme, ai thotë se AAK është kundër një koalicioni me VV-në, ndërsa është për koalicion me partitë opozitare.

“Ne si AAK jemi të gatshëm fuqishëm të bashkëpunojmë me opozitën dhe të krijojmë qeverinë dhe të mos ia vazhdojmë më punën Kurtit, sepse i ka bërë dëm vendit dhe AAK nuk mendon fare që të bashkëpunojë me VV”, shton ai.

Por, a kanë pasur bisedimet partitë opozitare mes vete lidhur me koalicione të mundshme?

“Sa i përket partive tjera opozitare mendoj se e kanë të njëjtin mendim sepse nuk hyhet në zgjedhje që t’ia vazhdojmë Kurtit mandatin dhe kjo duhet të jetë qëndrim i opozitës dhe mendoj se në këtë AAK është e gatshme për bashkëpunim me partitë opozitare”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar për takimin që ka…