Palestina rihap xhamitë dhe kishat
Palestina të martën ka rihapur xhamitë dhe kishat e njohura në Bregun Perëndimor të okupuar në kuadër të lehtësimit të masave që ishin vendosur kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu.
Xhamia Ibrahimi në Hebron dhe Kisha e Lindjes në Betlehem u hapën për adhuruesit pas tre muajsh.
Dhjetëra palestinezë erdhën për namazin e sabahut në Xhaminë Ibrahimi mes masave të rrepta të sigurisë izraelite.
Hefzi Abu Sneineh, drejtor i fondeve për provincën Hebron, tha për AA se autoritetet izraelite lejuan 50 adhurues të hynin në xhami për shkak të pandemisë.
Ai shtoi se namazi i sabahut u krye tre herë për t’ua mundësuar të gjithëve që kishin ardhur të luten.
Kisha e Lindjes gjithashtu rihapi dyert e saj për adhuruesit dhe vizitorët mes një sigurie të rreptë.
Ministrja e Turizmit dhe Antikiteteve, Rula Maayah, tha për AA se rihapja e kishës është një shkëndi shprese për fillimin e një kthimi në jetën normale, veçanërisht pasi kisha pret miliona pelegrinë dhe turistë nga e gjithë bota.
Kisha e Lindjes është vendi më i njohur i shenjtë për krishterët në Palestinë, pasi u ndërtua në vendin ku besohet se ka lindur Jezusi.
Të hënën, Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, njoftoi hapjen e vendeve të adhurimit duke filluar nga e marta, si pjesë e lehtësimit të masave parandaluese kundër koronavirusit.
Që nga e marta, Palestina regjistroi një total të 602 raste të koronavirusit, duke përfshirë pesë vdekje, dhe 475 shërime.