Palestinezët në Shqipëri? Rama e mohon sërish: E gjitha sajesë, zë që vjen nga këneta

06 shkurt 2025 | 15:22

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka hedhur poshtë pretendimet se Shqipëria do të strehojë shtetas palestinezë.

Gjatë një “episodi” të serisë së re të videove në “Facebook”, “Sy më sy”, ku u përgjigjet ndjekësve, Rama zgjodhi pikërisht komentin e një personi i cili sugjeronte se vota për të, do të sillte mbushjen e Shqipërisë me palestinezë.

“Po pse? Apo se kështu ka ardhur një zë nga këneta. Është e gjitha një sajesë siç e marrin rrugën me shpejtësi sajesat. Sepse edhe për këtë rast vlen shprehja që kur e vërteta nuk ka veshur ende pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”, ka thënë Rama.

Zhvendosja e palestinezëve në Shqipëri është përgënjeshtruar fillimisht nga kryeministri më 27 janar, kur ka hedhur poshtë si të pavërteta disa pretendime nga media izraelite se administrata Trump ishte në negociata me qeverinë shqiptare për këtë.

Që prej asaj dite, Trumpi ka deklaruar disa herë se synimi i tij është largimi i palestinezëve nga Gaza, për ta shndërruar territorin në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, shkruan “A2 CNN”.

Ai ka thënë fillimisht se Jordania dhe Egjipti do të duhet të strehonin palestinezët e Gazës, por menjëherë hasi në refuzimin e dy shteteve arabe.

Reagime të shumta kundër kanë ardhur edhe nga Arabia Saudite, por edhe shtete të tjera. I fundit që e hodhi poshtë me forcë idenë ishte presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë një vizite në Turqi.

Gaza është momentalisht thuajse e rrafshuar nga bombardimet e Izraelit, që nisën menjëherë pas 7 tetorit 2023, kur militantë të Hamasit vranë mbi 1000 vetë, rreth 700 prej tyre civilë, në një sulm të organizuar brenda territorit izraelit.

Nga konflikti që ka pasur, i mbyllur pak javë më parë me një armëpushim, raportohet të kenë vdekur mbi 45 mijë palestinezë në Gaza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Qendrore e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj…