Pallaska si avokat i Thaçit flet pas bastisjes: Prokuroria ende po kërkon prova për të mbështetur aktakuzën
Dastid Pallaska, në cilësinë e njërit nga avokatët mbrojtës të Hashim Thaçi në procesin gjyqësor në Hagë, ka dhënë më shumë detaje për bastisjen shtatorëshe në rezidencën e ish-presidentit.
“Dëshiroj që t’iu njoftoj se e kam pranuar ftesën e presidentit Hashim Thaçit që t’i bashkohem ekipit të tij të mbrojtjes i cili përbëhet nga një numër i avokatëve ndërkombëtarë dhe i cili do ta përfaqësojë atë në procedurën penale që ka filluar kundër tij pranë Dhomave të Specializuara”.
“Sot në këtë cilësi isha i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrit të bastisjes në rezidencën e Hashim Thaçit këtu në Prishtinë, përkatësisht në Graçanicë. Atë që mund t’iu them për momentin është që bastisja ka përfunduar, derisa sa i përket qëllimeve të bastisjes mund të them që ato ishin jashtëzakonisht të përgjithshme”, ka thënë ai.
Pallaska ka thënë se është e paqartë pse bastisja është kryer pas konfirmimit të aktakuzës, derisa ka shtuar se duket se Prokuroria kërkon ende prova për të mbështetur aktakuzën tanimë të konfirmuar.
“Rrjedhimisht nuk dukej që kishte ndonjë shënjestrim të duhur të bastisjes që është parakusht procedural që të urdhërohet bastisja. Po ashtu, dhe pa e nënvlerësuar këtë fakt, mbetet ende e paqartë, si në aspektin procedural ashtu edhe atë logjik, që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës, përkatësisht konfirmimit të saj. Ajo që kjo bastisje sugjeron është që aktakuza kundër Hashim Thaçit, ashtu siç është konfirmuar, mbetet një shënjestër në lëvizje. Prokuroria duket se ende kërkon prova për të mbështetur një aktakuzë që tani e ka ngritur”, ka thënë Pallaska.