Palmer kritikon BE dhe flet për kufijtë Serbi-Kosovë
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer tha të mërkurën se i takon Kosovës dhe Serbisë nëse do të diskutohet apo jo çështja e kufijve në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Gjatë një dëgjimi në senatin amerikan, zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një marrëveshje me autorësi lokale dhe që duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Nëse kufijtë do të jenë pjesë e marrëveshjes është çështje e palëve”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve, ndërsa theksoi se është i kuptueshëm shqetësimi për ndikimet që mund të ketë në pjesët tjera të rajonit.
Palmer tha se partitë politike fituese të zgjedhjeve në Kosovë e kanë bërë të qartë se nuk duan të flasin për këtë çështje. Ai tha se qeveria e re e Kosovës duhet të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i japë fund fushatës për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i bisedimeve.
Palmer i cilësoi zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë si shumë të rëndësishme për Kosovën, ndërsa nënvizoi se “kjo do të jetë qeveria e parë pa forcat që kanë pasuar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… pa figurat nga e kaluara. Kjo dëshmon dëshirën e qytetarëve për ndryshim”, tha zoti Palmer duke theksuar se qeveria e re pritet të formohet nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Vetëvendosje për herë të parë doli e para në zgjedhje. E njoh zotin Kurti, por si do të sillet në qeveri është e paqartë”, tha ai, duke nënvizuar se Kosova tash duhet të formojë qeverinë, të zgjedhë ministrat dhe “shpresoj se do të lëvizin shpejt”, meqë ka “punë për të bërë para se palët të ulen në tryezën e bisedimeve”.
Palmer tha se po punon ngushtë me ambasadorin Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai kritikoi Bashkimin Evropian për dështimin që të hap negociatat për anëtarësim mer Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim që siç tha ai “dërgon mesazhe të gabuara tek Prishtina dhe Beogradi”./VOA